Izraeli: Bastisjet në Gazë, përgatitje për “fazën e re të luftës”
Trupat ushtarake izraelite kanë hyrë për pak në mesnatën e së enjtes në Gazë, për t’u përgatitur për fushëbetejë, ka thënë ushtria e Izraelit, dy javë pasi i ka shpallur luftë grupit militant palestinez Hamas.
Më 7 tetor, militantët e Hamasit kanë kryer sulme në tokën izraelite duke i lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë. Hamasi besohet se i ka marrë nga Izraeli edhe mbi 200 pengje.
Bastisjet ushtarake të Izraelit në Gazë janë kryer teksa Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se rrezikojnë të mbesin pa naftë në këtë territor.
Gaza është nën rrethim të ashpër ka mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe prej kur Hamasi i ka nisur sulmet në Izrael.
Rritja e numrit të viktimave në Gazë është e pashembullt në konfliktin që vazhdon me dekada mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 7.000 palestinezë janë vrarë në konflikt, ndonëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ushtria izraelite ka thënë se po i sulmon vetëm shënjestrat e militantëve dhe e ka akuzuar Hamasin se po vepron në mesin e civilëve, në Gazën me popullsi të dendur.
Konflikti është duke kërcënuar me përhapje të luftës në rajon.
Hezbollahu, aleat i Hamasit në Liban, por që përkrahet nga Irani, ka shkëmbyer disa herë zjarr me Izraelin në zonën kufitare.
Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur në Gazë, apo për ta kërcënuar Izraelin në të ardhmen, por ka thënë se nuk synon që ta pushtojë sërish Gazën, prej së cilës i ka tërhequr trupat më 2005./REL