Mon, Nov 25, 2024

Mirlind Dakut: Te Kukësi u nënvlerësova, mendova ta lë futbollin, mund të merresha me lokalin

  • PublishedOctober 27, 2023

Futbollisti i kombëtares, një ndër yjet më të spikatur në këtë fazë të eliminatoreve për Euro 2024, ka dhënë një intervistë së fundmi ku ka rrëfyer të gjitha emocionet e tij.

Daku shfaq hapur pozitivetin e marrë nga rezultatet por edhe nga vet ekipi kombëtar, si edhe tregon komentet e marra nga jashtë fushës.

Ai ka rrëfyer edhe eksperiencën e tij jo shumë të këndshme te ekipi i Kukësit ku thot se mësoi se çfarë do të thotë të jesh i nënvlerësuar.

Pjesë nga intervista e Panorama Sport:

A e kishit menduar ndonjëherë këtë arritje?

Me thënë drejtën, unë kam besuar gjithmonë te vetja, por jo në këto përmasa. Pra, nuk mendoja se do të gjendesha në një gëzim kaq të madh dhe në një moment të tillë kaq shpejt.

Kur ju erdhi ftesa nga Kombëtarja shqiptare?

Ftesa më ka ardhur para ndeshjes me Çekinë dhe Poloninë. Isha në listën e pritjes dhe nuk e dija se si do të shkonin gjërat më pas. Nuk isha edhe fort i bindur nëse do të mund të grumbullohesha apo jo. Por fati e deshi që të grumbullohesha dhe debutova më pas me Çekinë.

Kujt ia thatë të parit nga familja?

Ia thashë babait. Por e çova menjëherë ftesën te grupi në “Whatsapp” ku i kam të gjithë familjarët.

Si e pritën?

Shumë mirë. Me thënë drejtën isha para ndeshjes me Rubin Kazanin dhe ishim në hotelin e klubit. Isha duke pushuar pas stërvitjes. U shtriva të flija pak pasdite, por në atë moment e pashë se ishin duke më bërë “tag” në rrjetet sociale. Aty e konfirmova se isha grumbulluar dhe isha pjesë e listës.

Si u ndjetë?

U gëzova pamasë. Në atë moment nuk po dija se si po ndihesha. Ishte e jashtëzakonshme.

Çfarë ju thanë shokët te klubi?

Më përgëzuan padyshim. Por janë të befasuar me rezultatet që po arrijmë me Kombëtaren. Po çmenden… (qesh).

Kur u futët në fushë kundër Çekisë si u ndjetë?

Atje në Pragë mendova se m’u realizua një ëndërr. Isha i lumtur, por emocionin më të madh e kam ndjerë kundër Polonisë në Tiranë. Oh çfarë emocioni. I gjithë stadiumi që thirri emrin… Uh, edhe tani emocionohem. Zoti ma shpërbleu me një gol dhe kjo për mua ishte e pabesueshme.

U komentua shumë tatuazhi “Katana 138”… Sa kohë keni që e keni bërë atë tatuazh?

Ka gati tri vite që e kam bërë. Ju e dini tanimë se cila është arsyeja.

Si është jeta në Rusi?

Të them të drejtën gjërat shkojnë mirë. Shumë njerëz mendojnë që për shkak të luftës këtu kushedi çfarë ndodh, por në të vërtetë këtu gjithçka ecën normalisht. Në asnjë moment nuk është folur apo nuk diskutohet lufta. Po mundohem të marr sa më shumë nga ky kampionat, të bëj sa më mirë dhe më pas të shoh për ndonjë skuadër tjetër në perëndim.

Në skuadër nuk keni vetëm rusë, por edhe malazezë e serbë. Si është raporti me këta të fundit? Ju pyes, sepse mediat serbe shkruan shumë për ju kur panë tatuazhin që kishit në trup…

Mua më kanë uruar të gjithë për gjërat e mira që kam bërë. Përfshi edhe serbët.

Edhe ata (serbët) ju kanë komplimentuar?

Po, edhe nga ata kam marrë fjalë të mira. Sidomos pas golit ndaj Polonisë.

Çfarë raporti keni me serbët në ekip?

Raport profesionistësh. As unë dhe as ata nuk kemi ardhur në këtë klub për të bërë politikë apo për të diskutuar gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Ua kam thënë që kur kam ardhur.

Çfarë u keni thënë?

Se unë në asnjë moment nuk do t’ju provokoj dhe as ju nuk dua që të më provokoni. Këtu kemi ardhur të gjithë për një qëllim: kemi ardhur për të bërë karrierën tonë. Ata i dinë qëndrimet e mia dhe unë i di qëndrimet e tyre, por këtu jemi për tjetër gjë. Për hir të së vërtetës deri tani gjërat kanë shkuar në mënyrë korrekte. Nëse ndonjëherë do të ndodhte që dikush të më provokojë, atëherë e di ku është dera… (qesh).

Çfarë note do t’i vinit eksperiencës suaj te Kukësi? A ju shërbeu për ndonjë gjë?
Për asnjë gjë nuk shërbeu. Ah, më shërbeu për t’u mësuar me ndjenjën e të qenit i nënvlerësuar… Aty mora një mësim unë, por edhe të tjerët besoj.

Pse?
Sepse u vërtetua edhe një herë se puna e futbollit nuk është vetëm të vlerësohesh kur gjërat shkojnë mirë, por edhe kur shkojnë keq.

A keni një shembull në jetë ose dikë që shërben për ju si pikë referimi? Përveç familjes e kemi fjalën…
Shikoni, unë jam rritur duke parë futboll dhe shembulli për mua është Ibrahimoviç./Panorama Sport

AlbaniaWeb.net