Turizmi po “kris” mbretërimin e parasë cash?
Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit po i jep shtysë të fortë edhe pagesave me kartë. Statistikat dëshmojnë rritje të ndjeshme të volumeve të pagesave dhe një kërkesë në rritje nga bizneset për t’u pajisur me terminale POS, që mundësojnë pranimin e pagesave me kartë.
Megjithatë, për bizneset e vogla, kostot e lidhura me pranimin e pagesave me kartë ngelen një faktor frenues në shkëputjen nga tradita e gjatë e cash-it.
Rritja e turizmit po fillon të “krisë” dominimin e përdorimit të parasë fizike në transaksionet e pagesave në ekonominë shqiptare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në periudhën pas pandemisë, pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 10.7 milionë, me rritje 35.5% krahasuar me një vit më parë.
Rritja ishte edhe më e lartë në vlerë transaksionesh, që vitin e kaluar arriti në 50.6 miliardë lekë, 45% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Për vitin 2022, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 13.9% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 11.45% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Tendenca në rritje ka vazhduar edhe në 6-mujorin e parë të këtij viti. Në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 6.5 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (Points of Sale, POS).
Numri mesatar i pagesave mujore ka arritur në pothuajse 1.1 milionë, nga afërsisht 890 mijë pagesa të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor
Artikulli i plotë këtu.