Tue, Nov 19, 2024

Sulmi në veri, Çeku: Ende asnjë përgjigje për vlerësimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës

  • PublishedOctober 29, 2023

Një muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ende nuk ka përfunduar vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në Manastirin e Banjskës.

Ministri i Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku u shpreh se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga dioqeza Rashkë-Prizren ndërsa shtoi se do të jenë insistues dhe t’i kryejnë detyrat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi i agresorëve serbë për t’u strehuar, pasi sulmuan Policinë e Kosovës mëngjesin e 24 shtatorit.

Më 27 shtator, tre ditë pas sulmit, Çeku bëri të ditur se i kanë mjetet e nevojshme për të kryer sanimet, teksa shtoi se dëmet nuk janë të vogla në strukturën fizike të Manastirit.

Ministri i Kulturës në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë sipas tij, është në pyetje trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës. Ai shtoi se me vlerësimin e dëmeve, do të ndërmerren veprimet e duhura riparuese.

Përveç kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku potencoi se është bërë një vlerësim preliminar i dëmit që i është shkaktuar trashëgimisë kulturore gjatë viteve 98-99’ nga forcat serbe. Ai thotë se i MKRS-ja, i ka shifrat e para që tregojnë se sa monumente e vepra arti janë dëmtuar.

Çeku shtoi se raporti do të mbetet konfidencial deri në një afat të pacaktuar, meqë sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm me të cilin do të ballafaqohet Serbia. Ai thotë se përmes këtij raporti, do të kërkohet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga forcat serbe në mënyrë të qëllimshme gjatë luftës së fundit.

AlbaniaWeb.net