Sun, Nov 17, 2024

Von der Leyen mbërrin në Shkup, vizita e parë e turit ballkanik

  • PublishedOctober 29, 2023

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën në mbrëmje ka arritur në Shkup, duke filluar turneun e saj në Ballkanin Perënidmor, pasi ajo pas kryeqendrës maqedonase do të vizitojë Prishtinën, Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën.

Gjatë vizitës në Shkup dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen do ta do të prezantojë Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Korniza është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.

Përveç kësaj, gjatë takimeve me autoritetet maqedonase një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet reformave dhe ndryshimeve kushtetuese që janë të domosdoshme për integrimin evropian.

“Kemi çështje të rëndësishme për të biseduar në lidhje me reformat dhe angazhimet tjera para përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe përpara publikimit të Raportit Vjetor të Progresit 2023.

Në takimet e ditës së hënë presim diskutime të dobishëm të fokusuar në hapat dhe planet e ardhshme për përparim të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në BE,” tha zëvendëskryeministri maqedonas, Bojan Mariçiç, përmes një postimi në Facebook pas pritjes që i bëri zyrtares së BE-së në aeroportin e Shkupit.

Vizitën në Maqedoninë e Veriut, shefja e KE-së e nisi me një darkë pune me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ndërsa të hënën do të pritet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ajo po ashtu do të vizitojë edhe një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve të financuar nga programi evropian IPARD./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net