Sun, Nov 17, 2024

Lajçak: Palët kishin komente dhe pyetje, shpresoj të sqarohemi javët e ardhshme

  • PublishedOctober 29, 2023

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen javore të axhendës së tij, ka shkruar për takimet e të enjtes që u zhvilluan në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Lajçak ka treguar, se Kurti dhe Vuçiç janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin.

Ai shton se Kurti dhe Vuçiç kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të sqarohen gjatë javëve të ardhshme.

Lajçak përmend edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se po kërkojnë opsione moderne evropiane.

Por ai shton se Asociacioni nuk është vetmja çështje që ka nevojë për zbatim, pasi edhe Serbia ka obligime të pazgjidhura.

”E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar,” shkruan Lajçak.

”Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë,” ka thënë ndër të tjera Lajçak

AlbaniaWeb.net