Sat, Nov 16, 2024

Në Gazë mbërrijnë dhjetëra kamionë me ndihmë humanitare

  • PublishedOctober 30, 2023

Dhjetëra kamionë kanë hyrë në Gazë më 29 tetor, duke dërguar ndihmën më të madhe që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, por punëtorët e ndihmës thanë se dërgesa ende nuk plotëson kërkesat pasi mijëra persona hynë nëpër depo dhe morën miell dhe produkte të higjienës bazike.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i viktimave në mesin e palestinezëve ka kaluar 8.000 dhe shumica e viktimave janë gra dhe të mitur, përderisa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është duke u zhvilluar “faza e dytë” e luftës ndaj militantëve të Hamasit, pasi ata sulmuan Izraelin më 7 tetor.

Izraeli lejoi të dielën të hynin 33 kamionë që bartnin ujë, ushqime dhe ilaçe. Kamionët hynë nga pikëkalimi në Rafah, që lidh këtë territor me Egjiptin, tha zëdhënësi i këtij pikëkalimi, Wael Abo Omar për AP.

Kryeporkurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka vizituar pikëkalimin në Rafah dhe e përshkroi vuajtjen e civilëve si të “madhe”. Kryeprokurori Karim Khan tha se nuk është lejuar që të hyjë në Gazë. “Këto janë ditët më tragjike”, tha ai.

Gjykata Ndërkombëtare Penale heton veprimet e Izraelit dhe autoriteteve palestineze që nga viti 2014.

Khan i bëri thirrje Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar. Ai tha se sulmi i 7 tetorit i kryer nga Hamasi përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Më 29 tetor, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar mbi 450 caqe të militantëve, përfshirë edhe qendra komanduese të Hamasit, duke thënë se kanë vrarë dhjetëra militantë.

Ushtria izraelite tha se operacionet tokësore në Gazë janë intensifikuara dhe u bëri sërish thirrje banorëve që të largohen nga veriu për në jug të Gazës./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net