Sat, Nov 16, 2024

“Me urdhër të shefit të madh, sa të jem unë gjallë”! Me hu në dorë, si nisi sherri te Kepi i Rodonit? (VIDEO)

  • PublishedOctober 30, 2023

Zbardhet ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e së djeshme në Kepin e Rodonit në Durrës. Tetë persona janë arrestuar, njëri është në kërkim, i cili dyshohet që sipas policisë ka qëlluar me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka të lënduar dhe një tjetër po hetohet në gjendje të lirë për mos kallëzim të krimit. Mes të arrestuarve është ish-deputeti Mark Frroku.

Por si ndodhi ngjarja?

Dje pasdite Mark Frroku me tre persona të tjerrë, mes tyre Besnik Tomi që është shoferi i tij, i cili dyshohet se qëlloi me armë shkuan për të rrethuar një pronë buzë detit te Kepi i Rodonit me pretendimin se janë përafqësues të kishës Françeskane dhe se prona është e saj. Dy palët pretendojnë se kanë dokumentet e pronësisë për të njëjtën pronë.

Grupi i ish-deputetit ka hasur në rezistencën e banorëve të fshatit Shetaj. Konkretisht katër prej tyre janë përleshur fizikisht me grushte, shkelma dhe sende të forta pasi situata agravoi deri te të shtënat me armë. Si pasojë e konfliktit disa prej personave pësuan lëndime të lehta në trup.

Ditën e djeshme, Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka dhe Ylli Reka, banorë të fshatit Shetaj janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit Ndue Sokoli, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.

Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është Besnik Tomi. Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve” njofton policia.

Dyshimet

Përfaqësuesja e Kishës Françeskane në këtë zonë, Ana Shtjefni sipas mediave ka bërë me dije se personat që kanë pretenduar se janë përfaqësues të kishës, pra Mark Frroku me grupin e tij “nuk janë të tillë”.

Kërcënimet
Në media po qarkullon një video ku një zonjë në Kepin e Rodonit përplaset verbalisht me një person, që pretendon se i ka dhënë urdhër prifti që të nisë rrethimin e pronës buzë detit në Kepin e Rodonit.

Debati
Gruaja:
Zotni me urdhër të kujt merr kuajt me hu nga kepi? Me urdhër të kujt, zotni?
Burri: Të shefit të madh
Gruaja: Kush është shefi i madh
Burri: Ai që është
Gruaja: Zotëri me urdhër të kujt i ke nxjerrë? Do të mbash përgjegjësi
Burri: Me urdhër të shefit të madh
Gruaja: Kush është shefi i madh?
Burri: Prifti. Vazhdo atje tani…
Gruaja: Ti nuk ke të drejtë dhe nuk je i autorizuar. Mos ma prek telefonin
Burri: Këtu nuk ke për të hyrë sa të jem unë gjallë.

Të arrestuarit;

Banorët e fshatit Shetaj;
Bajram Kaculi
Erjon Reka
Orgito Reka
Ylli Reka

Grupi i ish-deputetit;
Mark Frroku
Antonio Lazari
Pal Doda
Martin Lazeri

Në kërkim;
Besnik Tomi- qëlloi me armë zjarri

Të proceduar në gjendje të lirë;
Ndue Sokoli për veprën penale moskallzim i krimit

E PLOTË/ Si nisi sherri për pronën tek Kepi i Rodonit, qëlloi shoferi i Mark Frrokut

AlbaniaWeb.net