Fri, Nov 15, 2024

Blerina Muço jep shpjegime për problemet e pasurisë dhe profesionalizmit

  • PublishedOctober 30, 2023

Gjyqtarja e Tiranës, u përball të hënën më 30 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati për katër orë, ajo dha shpjegime dhe kundërshtoi bilancin negativ në vlerë të madhe të konstatuar nga analiza financiare paraprake, si dhe për gjetjet në kriterin profesional.

Ndërkohë, Muço mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjytaren Muço po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga , me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Blerina Muço e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 kur është emëruar në GJykatën e Beratit dhe prej më shumë se dy dekadash e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Bilancet negative

Komisioni e ka kryer analizën financiare paraprake të ndarë në dy pjesë. Për periudhën 1993-2003 analiza financiare është kryer në total, ndërsa për vitet 2004-2016 është realizuar vit pas viti, bazuar në deklarimet e gjyqtares Muço dhe personave të saj të lidhur.

KPK ka gjetur pamundësi financiare për periudhën e dytë në masën 10.9 milionë lekë për krijimin e cashit në llogari rrjedhëse dhe atij në banesë, si dhe për mbulimin e shpenzimeve. Bilanci negativ, nga sa u relatua në seancë, rrjedh nga mungesa e vërtetimit të ligjshmërisë së një pjese të të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga konsulencat juridike dhe punësimi në disa kompani.

Megjithëse janë deklaruar të ardhura të konsiderueshme, KPK konstaton se nuk janë paguar detyrimet tatimore për një pjesë të këtyre të ardhurave. Po ashtu, janë konstatuar edhe pasaktësi në deklarime, një pjesë e të cilave u pranuan nga subjekti.

Gjyqtarja Muço e konsideroi të saktë analizën e Komisionit, por ajo u shpreh se nuk dakordësohej me vlerësimin e kryer për ligjshmërinë e burimeve.

Ajo tha se bashkëshorti nuk mund të verifikonte pagimin e tatimit në burim për të ardhurat e përfituara. Sipas saj, kur shoqëria është pytur dhe nuk ka kthyer përgjigje, bashkëshorti ka kryer padi. Sipas saj, është detyrim i shoqërisë që të shlyente detyrimet përkatëse.

Ngjashëm ajo argumentoi edhe lidhur me mosmbulimin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për një pjesë të pagës së përfituar prej bashkëshortit nga punësime të tjera. Sipas saj, ka qenë detyrim i punëdhënësit që t’i paguante këto detyrime.

Muço pretendoi se konstatimi i KPK lidhur me këto të ardhura nuk është në përputhje me jurispudencën e Kolegjit.

“Konkluzioni i Komisionit për moskonsiderimin e këtyre të ardhurave për arsye se punëdhënësit nuk kanë paguar detyrimet, është i paligjshëm,” tha Muço ndër të tjera dhe i kërkoi trupës që të rivlerësojë qëndrimin e analizës paraprake të pasurisë.

Sipas saj, nëse do të konsideroheshin të ardhurat e bashkëshotit, atëherë analiza financiare do të ndryshonte krejtësisht duke rezultuar pozitive.

Subjekti kërkoi uljen e shpenzimeve të djalit për studime në Kanada gjatë dy muajve, duke i konsideruar të ekzagjeruara. Po ashtu, vërejti se shpenzimet e përllogaritura për udhëtime të bashkëshortit nuk qëndronin, pasi ishin kryer nga një person që dispononte pasaportë diplomatike. Sipas saj, dy bilance negative minimale në dy vite rezultonin për shkak të përllogaritjes mesatare të kursit të këmbimit valutor.

Në vijim, ajo kërkoi që pagesat e bashkëshortit nga një shoqëri që administron një televizion të mos konsiderohen dieta ashtu si ka vlerësuar KPK. Sipas gjyqtares Muço, bilancet negative rrjedhin si pasojë e moskonsiderimit të të ardhuave të bashkëshortit. Ajo vërejti se pagesat janë kryer në bankë dhe kërkoi që të përfshihen në analizë duke pretenduar se kishin pasur burime të ligjshme për gjithë investimet dhe shpenzimet e kryera.

Komisioni konstaton se subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë blerë në vitin 2000 një apartament në Tiranë për çmimin 5 milionë lekë, që u konsiderua poshtë vlerës së tregut të lirë të përllogaritur në masën rreth 8.5 milionë lekë.

Si burimi krijimi të kësaj pasurie, Muço ka deklaruar një kredi të përfituar sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, VKM nga bashkëshorti që në atë kohë ushtronte funksionin e deputetit të Kuvendit.

Sipas relatorit Ilia, nga hetimet ka rezultuar se apartamenti është regjistrua në emër të subjektit dhe bashkëshortit të saj përpara aplikimit për kredi dhe disbursimit të saj. Po ashtu, është konstatuar se kjo pasuri është vendosur si garanci për përfitimin e kredisë.

Gjyqtarja Muço deklaroi në seancë se të gjitha procedurat ishin realizuar në përputhje me VKM-në, që sipas saj përcaktonte se për përfitimin e kredisë duhej të dorëzohej më parë në bankë akti i blerjes së apartamentit. Ajo e cilësoi të drejtë konstatimin e mospërputhjeve të gjetura në pagimin e çmimit të apartamentit, por sqaroi se në këtë rast nuk mund të realizohej kreditimi, pa përfunduar më parë procedura e blerjes së banesës.

Ndërkohë, Muço kundërshtoi konstatimin lidhur me çmimin më të lartë se ai i tregut të lirë. Subjekti theksoi se për vitin 2000 mungojnë referencat e për shitjen e pasurive të paluajtshme në tregun e lirë dhe shtoi se kishte dorëzuar si provë tetë kontrata të tjera shitje të të njëjtës periudhë në të njëjtin objekt, ku çmimet rezultonin të përafërta ose më të ulëta.

Në seancë u evidentua se subjekti kishte gjykuar dhe marrë vendime në vitet 2011, 2013 dhe 2019 për tre çështje, ku palë kishte qenë shoqëria ndërtuese. Sipas Ilias, duket se subjekti është gjendur në kushtet e konfliktit në shqyrtimin e këtyre çështjeve.

Gjyqtarja Muço vërejti se gjykimet janë realizuar në një kohë shumë më të vonë nga blerja e apartamentit dhe se nuk kishte shkak për gjendjen e saj në kushtet e konfliktit të interesit. Ajo solli në vëmendje praktikën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lidhur me konfliktin e interesit dhe i cilësoi vendimarrjet e saj të drejta, duke argumentuar se ishin lënë në fuqi edhe nga Apeli. “Nëse do kisha kërkuar dorëheqje do të më ishte rrëzuar, pasi nuk është e bazuar,” tha ajo dhe këmbënguli se gjykimi i këtyre çështjeve nuk përbën konflikt interesi.

KPK i ka kërkuar subjektit që të vendosë në dispozicion përgjigje të doganës lidhur me pagimin ose jo të detyrimeve doganore për blerjen e një automjeti nga bashkëshorti në vitin 2004 për çmimin 700 mijë lekë. Muço sqaroi se u kishte dërguar kërkesë autoriteteve doganore, por nuk i kishin kthyer përgjigje. Sipas saj, verbalisht i kanë komunikuar se dosjet e atyre viteve janë depozituar nëpër thasë dhe se nuk po i gjejnë dot. Në vijim, ajo deklaroi se pagesa për zhdoganimin nuk është për shkak të funksionit të bashkëshortit si deputet, që e gëzonte këtë të drejtë ligjore.

Në seancë u evidentua edhe mosdeklarimi i përdorimit të dy automjeteve, konstatim që u pranua si i drejtë nga subjekti. Ajo shpjegoi se një prej makinave të një shoqerie, bashkëshorti e kishte konsideruar si mjet pune dhe prandaj nuk është konsideruar si huapërdorje. Për makinën tjetër tha se ishte përdorur për një rast familjar.

Gjetjet për profesionalizmin

Në tre çështjet e përzgjedhura nga vetë subjekti në funksion të rivlerësimit të saj në aspektin profesional, është konstatuar se nuk pasqyroheshin datat përkatëse dhe për rrjedhojë nuk mundej të evidentohej kohëzgjatja e gjykimeve.

Subjekti tha se tashmë e kishte korrigjuar këtë rrethanë. Ajo tha se vendimet i kishte përzgjedhur për shkak të kompleksitetit të tyre. Muço pranoi se të treja këto çështje ishin gjykuar tej afatit 6 mujor, por pretendoi se kjo situatë nuk ishte krijuar prej saj.

Nga shqyrtimi i pesë dosjeve të shortuara, ka rezultuar se në një rast Apeli ka konstatuar se subjekti ka gjykuar një çështje mbi të cilën nuk kishte kompetencë lëndore, pasi i përkiste fushës administrative. Sipas Muços, gjykimi është realizuar në vitin 2014, kur dhe ka hyrë në fuqi ligji për Gjykatat Administrative dhe sipas saj, në atë periudhë ishte ende e paqartë kompetenca lëndore.

Për një çështje të gjykuar tej afateve të caktuara, subjekti dhe në këtë rast tha se nuk kishte qenë ajo shkak.

KPK konstatoi se gjyqtarja Muço dhe bashkëshorti i saj kanë nënshkruar me mbiemra të ndryshëm në aktet zyrtare apo në vendimarrjet e saj. Sipas relatorit Ilia rezulton se subjekti ka përdorur mbiemrin Muçaj dhe Muça, ndërkohë që në gjendje civile ka qenë e regjistruar me mbiemrin Muço. Komisioni konstaton se duket se subjekti ka cënuar etikën e magjistratit në përdorimin e mbiemrave të ndryshëm.

Gjyqtarja Muço u shpreh se kishte dy situata, një absurde dhe tjetra faktike. Sipas saj, gjithmonë kishin pasur të shënuar mbiemrin Muço, pasi babai i bashkëshortit kishte figuruar me këtë mbiemër. Por, sipas saj, xhaxhallarët e bashkëshortit mbanin mbiemrin Muçaj dhe prandaj ishte përdorur edhe prej tyre ky mbiemër. Ndërsa më vonë kishin përdorur mbiemrin Muça.

Ndaj gjyqtares Blerina Muço janë depozituar 23 denoncime nga publiku, nga janë gjetur probleme në 13 prej tyre. Relatori Ilia evidentoi zgjatje të gjykimeve tej afatit, në një rast për 6 vjet; arsyetimin e vendimeve dhe njoftimin e palëve po jashtë afateve, për mos respektim të të drejtave të palëve e të standardeve të procedurave.

Muço tha se gjykimet tej afateve kishin ndodhur për shkak të ngarkesës në punë dhe sjelljes së palëve. Ajo vërejti se për të ofruar proces të rregullt ligjor ishte e detyruar të respektonte të gjithë kërkesat e palëve që sillnin si pasojë edhe shtyrje të seancave. Por, subjekti këmbënguli se nuk kishte qenë ajo shkak i shtyrjeve. Lidhur me vendimet e arsyetuara, ajo pohoi se i kishte dorëzuar në sekretari në afat.

E pyetur nga vëzhguesja ndërkombëtare lidhur me rrethanat e zgjatjes së një procesi për 6 vjet, subjekti pohoi se kjo çështje ishte pezulluar për një periudhë kohe dhe se nuk mund të quhej vijim i gjykimit. Ajo shtoi se kishin qenë palët që kishin përdorur procedurën për të zvarritur procesin. Sipas subjektit, kur ajo kishte rrëzuar kërkesat e njërës palë si të pabazuara, ishte kërkuar përjashtimi saj që ishte pranuar dhe për rrjedhojë nuk e kishte përfunduar gjykimin.

Muço dha shpjegime edhe lidhur me pretendimet e ngritura nga Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike. Sipas subjektit, të gjitha ankimet vlerësohen nga kryesekretaria nëse plotësojnë kriteret për t’u kaluar për shqyrtim. Ajo shtoi se kur ishin me probleme, atëherë ankimi shqyrtohet nga gjyqtari i zgjedhur me short. Muço tha se pasi ishte përzgjedhur të shqyrtonte këtë çështje kishte kërkuar dorëheqjen, por nuk i ishte pranuar nga kryetari. Në vijim subjekti vërejti se vendimarrja e saj ishte lënë në fuqi nga Apeli.

Muço kundërshtoi edhe konstatimin tjetër të KPK-së se dukej se ajo kishte gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit çështje ku palë ishin shoqëri, dy me të cilat kishte marrëdhënie pune bashkëshorti, kurse në njërën rezultonte të ishte motra ortake.

Lidhur me shqyrtimin e çështjeve me palë shoqëritë me të cilat kishte pasur marrëdhënie pune bashkëshorti, subjekti tha se në momentin e gjykimit nuk kishte pasur kontakte me ortakët e shoqërisë apo ndonjë interes, ndërsa marrëdhënia e personit të lidhur kishte përfunduar në 2008-ën, kohë përpara.

Për çështjen tjetër ku palë kishte qenë një shoqëri ku ortake ishte motra, si dhe dy çështje me palë shoqërinë ku punonte bashkëshorti, Muço sqaroi se kishte kërkuar dorëheqjen që i ishte pranuar.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Blerina Muço kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 1 nëntor, në orën 09:45.