Sat, Nov 16, 2024

Mali i Zi në “këmbë” kundër kryetarit të ri të Kuvendit, mijëra njerëz në protestë

  • PublishedOctober 30, 2023

Disa mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze kanë protestuar të hënën vonë kundër kryetarit të ri të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiçin.

Mandiçi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Malit të Zi të hënën gjatë ditës duke marrë mbështetjen e 49 prej 81 deputetëve.

Në protestën e mbajtur para ndërtesës së Kuvendit në Podgoricë, morën pjesë edhe një pjesë e partive opozitare dhe Forumit të Qytetarëve të Lirë “Luça”, duke kërkuar të Mandiçi të mos pranohet si kryetar i Kuvendit malazez.

Për më tepër, ata i kërkuan kryeministrit të ardhshëm të Malit të Zi, Milojko Spajiç, që ta shtyjë regjistrimin e popullsisë të planifikuar për 1 nëntor.

Protestuesit brohoritën “Jo Qeverisë së çetnikëve”, “Vdekje fashizmit” si dhe “Mandiç, largohu”.

“Ne jemi para shtëpisë, e cila simbolikisht, moralisht dhe politikisht bëhet gërmadhë me zgjedhjet e sotme”, tha Pegja Vushuroviq nga Organizata “Luça”.

Me zgjedhjen në krye të Kuvendit, Mandiqi u bë edhe anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje.

Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.

Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90./REL

AlbaniaWeb.net