Korrupsion në zgjedhje, SPAK dërgon në gjykatë kryebashkiakun e Rrogozhinës
Prokuroria e Posaçme njoftoi të enjten se kishte dërguar për gjykim kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022. Bashkë me Memollën nën akuzë janë edhe tre punonjës të OSHEE, Blerim Xhamani, Ndriçim Tafxhafa dhe Isuf Tosku të cilët sipas prokurorisë kanë favorizuar familje apo premtuar favore mbi pagesat e energjisë elektrike për personat që votonin për Memollën.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria bën me dije se hetimet për çështjen filluan pas “transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal)”. Episodi në fjalë ka ndodhur sipas prokurorisë në pranverë 2022 kur në vend u mbajtën zgjedhje të pjesshme në 6 bashki që kishin mbetur pa kryetarë.
Memolla, Tafxhafa dhe Xhamani akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, ndërsa Tosku për falsifikim të një procesverbali të prerjes së dritave të familjes debitorë që favorizohej nga kjo ndërhyrje.
Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi ato për herë të tretë në korrik 2023. Nëse gjendet fajtor Memolla mund ta humbasë sërish mandatin e kryebashkiakut.