Sulmi në veri, Gërvalla: Presim që BE të reagojë për Serbinë
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në konferencën ministrore në Berlin ku moto e saj ishte “Union më i madh, më i fortë”.
Ajo në takimin e përbashkët me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së ka folur për sukseset e Kosovës, por edhe sfidat.
Ndër të tjera, kryediplomatja ka njoftuar homologët evropianë për përpjekjet e vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës si dhe ka folur për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit.
“Ajo kërkoi dënim të ashpër nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij dhe vuri në pah faktin që siguria e kontinentit evropian do të duhej të zinte vend të rëndësishëm në të gjitha debatet rreth zgjerimit të BE-së”, thuhet në njoftim.
Për zgjerimin e BE-së, ajo ka theksuar se duhet bazuar në vlerat dhe parimet e mirëfillta evropiane dhe se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për të ecur me seriozitet rrugës së saj euroatlantike.