Mon, Nov 18, 2024

Këlliçi: Skemat e Veliajt me firmën e preferuar, pse SPAK nuk shkel në bashki?

  • PublishedNovember 5, 2023

Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi denoncoi sot sërish skemën e depozitimit të dherave në Sharrë. Ai tha se kompania “Arlis Ndërtim” është një ndër më të preferuarat e Erion Veliajt duke treguar edhe manovrat që sipas tij janë bërë. SPAK, thotë më tej Këlliçi, edhe pse ka kallëzimet dhe provat, nuk shkel në Bashkinë e Tiranës.

https://www.youtube.com/watch?v=fnPjkiSew3A

“Ditën e mërkurë, zbuluam përmes një sërë komunikimesh se si Erion Veliaj favorizon miqtë e tij ndërtues në biznesin korruptiv të depozitimit të dherave, ku biznesmenë që kanë ndërtuar 7 kate pa leje në mes të Tiranës, në Sheshin Skënderbej, jo vetëm që nuk penalizohen, por madje favorizohen më tej duke i lejuar të depozitojnë dherat pa asnjë pagesë në landfillin e Sharrës.

Njëri prej miqve të kryebashkiakut dhe ndërtuesi që ka ngritur një pallat 7 katësh pa leje, mbi një kullë, theksojmë rast ky unikal në botë, përballë zyrës së Erion Veliajt, quhet Armand Lilo, pronar i kompanisë Arlis Ndërtim, i cili ka përfituar trajtim preferencial në mënyrë të përsëritur.

Sërish bëj me dije opinionin publik se i kam dërguar SPAK një pjesë të dokumentacionit për këtë pazar të Erion Veliajt dhe sot përsëri i bëj thirrje publike SPAK të sekuestrojë të gjitha vendimet e këshillit bashkiak Tiranë, vendimet e këshillit të ministrave, kontratat dhe lejet e ndërtimit për këtë subjekt. Edhe pse deri më sot kam depozituar një sërë kallëzimesh e provash flagrante në SPAK, për Bashkinë e Tiranës ende nuk ka asnjë reagim” tha ai.

AlbaniaWeb.net