Dwamena, kur për disa gola të bëjnë të paguash me jetë
Historia e Raphael Dwamenës është padyshim ajo e një djaloshi plot ëndrra.
Dëshira e madhe për të luajtur futboll madje dhe atëherë kur mjekët e huaj u munduan ta ndalnin me çdo kusht, e solli pikërisht në Shqipëri.
Djaloshi ka qenë i gatshëm të paguajë çdo çmim për të ndjekur ëndrrën e tij, dhe shansin e vetëm ia dhanë mjekët shqiptar, një çmim që u pagua me jetë.
“Nëse unë vdes, ky është vullneti i Zotit. Unë jam larguar dhe kaq. I harruar. Njerëzit do të jenë të trishtuar për disa orë, ose ndoshta edhe disa javë. Por ata do ta kalojnë atë dhe do të vazhdojnë. Unë nuk e jetoj jetën time për t’i kënaqur njerëzit. Vetëm Zotin”, thoshte Dwamena. Kjo pak kohë më parë se zemra e tij të jepte rrahjet e fundit në fushën e gjelbërt.
Detyra për të ndaluar që kjo të ndodhte nuk ishte as e natyrës dhe as e zotit por e mjekëve.
Dhe në disa vende të botës, këta i kishin qëndruar detyrës. Megjithëse një talent i padiskutueshëm, mjekët e kishin ndaluar të dilte në fushë me rrezikun se zemra e tij nuk do ta përballonte dot.
Dwamena ishte gati të lunate në Premier League në vitin 2017 për skuadrën e Brighton, por procedurat ndaluan pas testeve mjekësore aty ku u zbuluan dhe problemet e lojtarit me zemrën.
Ai vazhdoi të lunate futboll në Spanjë si me Levanten ashtu dhe Real Saragozan, ku lojtari do të merrte një tjetër paralajmërim nga mjekët se nuk duhej të lunate më futboll.
Kjo ndodhi pasi u rrëzua në fushë ku humbi ndjenjat. Pas kontrollit, mjeket i këshilluan tërheqjen e menjëhershme nga futbolli. Që pas kësaj, në fushë do të hynte me një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) që ndihmonte zemrën e tij të funksiononte, por jo të sforcohej.
E njëjta situatë vazhdoj dhe në Austri, te Linz ku mjekët e ekipit i njoftuan se zemra e tij nuk mund të përballojë dot sforcimin dhe duhej të tërhiqej nga futbollit.
Lojtari gjeti hapësirë për ëndrrat e tij pikërisht në Shqipëri, vendi ku ëndrrat realizohen.
Mbërritja e tij në kampionatin shqiptarë ishte një surprizë e madhe, një ish-lojtar i kampionatit spanjoll po i ofronte shërbimet e tij klubit të Egnatias.
Të zbuloje problemet dhe rreziqet me të cilat po hasej lojtari nuk ishte aspak e vështirë, mjafton të shihej arsyeja pse një Europë e tërë refuzoj një talent të tillë.
Ishte pikërisht ai talent dhe golat e Dwamenas që mjaftuan për ti mbyllur gojën të vërtetës. Gjatë përballjes me Partizanin, këtë të shtunë, ai humb ndjenjat në minutën e 24 të lojës.
Këtë herë zemra e tij u shua së bashku me ëndrrën e madhe që Dwamena kishte, një ëndërr të cilën mjekët shqiptar i thanë se do realizohej.
Lojtari do të varroset në Gana, trupi i Dwamenas do të kthehet në Nkaukau një qytet i vogël ku filloj gjithçka.