Gjykata rrëzon kërkesën e Ardian Hajdarit për një analizë të re financiare
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi të hënën më 13 nëntor një kërkesë të anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari për riekspertim të provave të administruara në procesin penal në ngarkim të tij për fshehje të të ardhurave në kohën kur ushtronte profesionin e avokatit.
Në fillim të seancës, Hajdari paraqiti parashtrime lidhur me vlerën provuese të akteve të administruara. Sipas Hajdarit, tatimet konfirmonin se ai nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë detyrim tatimor të papaguar në periudhën kur ka ushtruar profesionin e avokatit, e për rrjedhojë vërtetohet se nuk ka paraqitur të dhëna të rreme.
“Kur ndaj meje nuk ka kundërvajtje administrative, nuk mund të ketë as shkelje penale,” theksoi ai.
Hajdari vërejti se Prokuroria e Posaçme kërkon të kthehet në një institucion administrativ për të kryer një kontroll të dytë pas atij të ushtruar nga organet tatimore. Ai pretendoi se depozitimet e shumave monetare në llogarinë e tij, që janë konsideruar nga prokuroria si të ardhura nga avokatia, të vlerësohen si dhurime, duke pretenduar se gjatë gjykimit ishte provuar nga deklarimet e dëshmitarëve se nuk kanë qenë pagesa për shërbime ligjore.
Duke sjellë në vëmendje edhe praktikën e KPA, Hajdari deklaroi se dhurimet nuk tatohen. Sipas tij, të gjitha të ardhurat e tjera janë me detyrime të paguara.
Ai e cilësoi ekspertimin e kryer mbi hipoteza të prokurorisë për të ardhura të mundshme dhe kërkoi që riekspertimi të kryhet mbi bazën e dëshimve të dhëna gjatë gjykimit, ku dëshmitarët kanë deklaruar se shumat që i kanë depozituar kanë qenë dhurime, si dhe të tjerë që kanë pohuar se shërbimi u është dhënë falas.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj e rrëzoi kërkesën për riekspertim, duke arsyetuar se ekspertimi i kryer nuk ka vlerë të paracaktuar provuese dhe se do të shqyrtohet së bashku me provat e tjera, përfshi edhe dëshmitë.
Hajdari paraqiti deklarime të lira në të cilat theksoi ndër të tjera se në vitet 2011-2017 nuk kishte krijuar pasuri të pajustifikuara dhe se nuk rezultonte të kishte bërë jetë luksi. Në funksion edhe të pyetjeve të prokurores Enkeleda Millonai, Hajdari shpjegoi se një pjesë e personave që ka përfaqësuar kanë qenë të afërm dhe në vështirësi ekonomike e për rrjedhojë, kanë rënë dakord me fjalë që t’i ndihmonte falas.
Prokurorja Millonai përmendi disa depozitime të kryera në llogarinë e të pandehurit, për të cilat ai shpjegoi se ishin dhurime, megjithëse pranoi se për disa prej personave të cilët kishin kryer derdhjet, kishte ofruar shërbime ligjore për të cilat ishin dakordësuar të ishin falas pasi ishin miq të familjes dhe në nevojë. Kur u pyet se përse nuk kishte regjistruar nje shoqatë bamirëse, Hajdari theksoi se për të ndihmuar njerëzit në nevojë nuk është e nevojshme të jesh pjesë e një subjekti të tillë.
Ai pretendoi se deri në janar të vitit 2017, vepra penale për të cilën akuzohet është e parashkruar, ndërkohë që kërkoi të mos përfshihen në analizë të ardhura për përfaqësime të palëve në procese gjyqësore, vendimi për të cilat është dhënë pas fillimit të detyrës si gjyqtar i KPA-së në qershor të 2017-ës. Po ashtu, Hajdari pretendoi se në analizën e kryer ka edhe dublime të vlerave të të ardhurave të konsideruara sipas kërkimeve të prokurorisë.
Pasi gjykata vendosi të administrojë si prova aktet e marra gjatë gjykimit të zakonshëm, seanca u shty për më datë 27 nëntor në orën 10:00, për t’i dhënë kohë prokurorisë që të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Prej 7 shkurtit 2022, Hajdari është pezulluar nga detyra në KPA, pasi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Ai po gjykohet për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave” dhe “deklarimit të rremë të pasurisë”, ndërsa u vendos pushimi për veprën tjetër penale “falsifikimi i dokumenteve”.