Borrell: Kundër zhvendosjes së detyruar të palestinezëve nga Gaza
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paraqiti një paketë të re propozimesh se si duhet të drejtohet Gaza pas mbarimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Borrell, i cili gjatë kësaj jave pritet të shkojë në Izrael, territoret palestineze dhe vendet fqinje, tha se është jetike të mendohet mbi atë që do të ndodhë pas luftës, edhe pse luftimet sa vijnë e ashpërsohen.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar kishte dështuar “politikisht dhe moralisht” për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për konliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe se tani është koha të dyfishohen përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.
Duke folur për gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, ai paraqiti propozimin e tij ku detajohet se çfarë është e pranueshme dhe çfarë jo.
Ai është kundër çdo zhvendosjeje të detyruar të palestinezëve nga Gaza, një ripushtimi të përhershëm nga ushtria izraelite, tkurrjes së territorit të Gazës apo rikthimit të territorit nën kontrollin e Hamasit.
Sipas tij, atje duhet të vendoset “autoriteti palestinez”, që sipas tij, mund të jetë një variant i përforcuar i Autoritetit Palestinez që aktualisht drejton Bregun Perëndimor legjitimiteti i të cilit “të përcaktohet dhe vendoset nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Ai tha se vendet arabe duhet të thellojnë angazhimin në mbështetjen e Autoritetit Palestinez dhe Bashkimi Europian duhet të jetë më i angazhuar në rajon, veçanërisht në ndërtimin e shtetit palestnez.
“Kemi munguar atje për një kohë të gjatë. Ia kemi deleguar zgjidhjen e këtij problemi Shteteve të Bashkuara. Por Evropa duhet të jetë me përfshirë,” thotë zoti Borrell./VOA