Kushtetuesja pezullon ligjin që “burgos” studentët e mjekësisë
Studentët e mjekësisë arrijnë fitoren e parë kundër qeverisë Rama. Ditën e sotme Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të pezullojë këtë ligj që i detyronte studentët e mjekësisë që të qëndronin në atdhe për të punuar 5 vite pasi të mbaronin studimet ose të paguanin tarifën 2500 Euro çdo vit në universitet.
Presidenti Bajram Begaj e kaloi në heshtje. Ligji përfundoi në Kushtetuese me firmat e deputetëve të opozitës, e cila sot vendosi që ta pezullonte dhe ta kalonte për shqyrtim në themel. Ndërkohë që studentët pak ditë më parë arritën një marrëveshje me dekanin për t’u rikthyer në auditorë deri në vendimin e gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë” thuhet në njoftim.