VOA: Presidentët Biden, Xi do të takohen të mërkurën për katër orë në vilën Filoli
Presidenti i Shteteve të Bashkuara SHBA Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping do të takohen të mërkurën në vilën historike Filoli në jug të San Franciskos, për katër orë bisedime të detajuara mbi një sërë çështjesh dypalëshe dhe globale, sipas personave që kanë dijeni për planifikimin e takimit.
Bisedimet po zhvillohen në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të vendeve të Organizatës për Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Vila Filoli dhe përgatitjet për takimin
Vendndodhja e bisedimeve u konfirmua ekskluzivisht për Zërin e Amerikës. Filoli është një hapësirë prej afro 265 hektarësh ku ndodhet një vilë madhështore dhe kopshte elegante.
Presidentët Biden dhe Xi mbërrijnë në zonën e San Franciskos të martën përpara takimeve të së mërkurës, të cilat pritet të përfshijnë një drekë pune, një shëtitje në natyrë dhe një takim ku do të marrin pjesë këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe sekretari i shtetit Antony Blinken. Zyrtarë të tjerë të lartë do të mbajnë seanca të veçanta për çështje të veçanta.
Të mërkurën vonë, presidenti Xi pritet të marrë pjesë në dy pritje me udhëheqës të biznesit dhe kulturës amerikane. Një zyrtar i lartë amerikan pritet të prezantojë zotin Xi përpara se udhëheqësi kinez të mbajë një fjalim “për popullin amerikan dhe kinez”, sipas një pjesëmarrësi të ftuar, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Kemi planifikuar t’u lëmë kohë të mjaftueshme dy udhëheqësve që të ulen dhe të bisedojnë në detale mbi gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen SHBA-ja dhe Kina në mbarë globin dhe në marrëdhënier dypalëshe,” u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan./VOA
Artikulli i plotë këtu.