Abuzoi me shqiptaren, burg për ish-milanistin Robinjo
Ish-sulmuesi brazilian Robinjo, është dënuar për ngjarjen e 10 viteve më parë, kur përdhunoi një studente shqiptare në një lokal në Milano.
Ish-futbollisti i ishte shmangur drejtësisë prej shumë vitesh, por tashmë do të përfundojë pas hekurave për ngjarjen e rëndë.
Robinjo është dënuar në Itali për ngjarjen e vitit 2013, periudhë kur vishte fanellën e Milanit. Ai përdhunoi bashkë me shokë të tij një studente shqiptare e cila bëri denoncimin dhe çështja u ndoq penalisht nga drejtësia italiane.
Një gjykatë në Milano dha dënimin me 9 vite burg për lojtarin, por ky i fundit u kthye në vendlindje duke menduar se shpëtoi pa kryer këtë masë ndëshkimore, pasi Brazili nuk e njeh ekstradimin.
Prokuroria e Republikës së Brazilit ka dalë sot me vendimin se dënimi me gjyq do të shlyhet në këtë vend, duke i dhënë fund kësaj historie dhe duke vendosur Robinjon para drejtësisë, pasi sipas saj, gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën federale.