Gjykata e Lartë britanike: Plani për të dërguar emigrantë në Ruandë, i paligjshëm
Gjykata e Lartë britanike tha të mërkurën se plani i qeverisë për të dërguar një pjesë të emigrantëve që mbërrijnë në vend, në Ruandë, është i paligjshëm. Vendimi shihet si një goditje e fortë e politikës kryesore të qeverisë së Kryeministrit Rishi Sunak që ka nxitur kritika ndërkombëtare.
Pesë anëtarë të gjykatës më të lartë të vendit, vendosën njëzëri se azilkërkuesit që do të dërgoheshin në Ruandë, ekspozoheshin ndaj “rrezikut real për t’u keqtrajtuar” dhe se ata mund të ktheheshin në vendet e tyre.
Por pavarësisht vendimit, kryeministri britanik Sunak tha sot se do të vazhdojë me përpjekjet për të dërguar disa emigrantë në Ruandë.
Zoti Sunak, i cili është angazhuar të ndalojë imigrantët që futen në Britani me varka të vogla përmes Kanalit të la Manshit, tha se vendimi nuk ishte rezultati që ai priste. Por shtoi se qeveria e tij kishte menduar për të gjithë skenarët e mundshëm dhe se mbetej plotësisht e përkushtuar për të ndaluar anijet (me imigrantë).
Grupet e refugjatëve dhe të të drejtave të njeriut e përshëndetën vendimin. Organizata britanike “Charity ActionAid”, e cila ndihmon gratë dhe vajzat në vendet e varfra, tha se vendimi ishte një fitore e “vlerave njerëzore britanike dhe e dinjitetit”.
Organizata “Amnesty International” i kërkoi qeverisë britanike “të heqë dorë nga një kapitull i turpshëm në historinë politike të Britanisë”, siç dhe e konsideroi ajo.
Në prill të vitit 2022 Britania dhe Ruanda nënshkruan një marrëveshje për të dërguar një numër imigrantësh që kishin mbërritur në Britani të fshehur në automjete ose me varka, në vendin e Afrikës Lindore, ku do të përpunoheshin kërkesat e tyre për azil dhe nëse përgjigja do ishte pozitive, ata do të qëndronin./VOA
Artikulli i plotë këtu.