Goja e Thatë – Shkaqet dhe Trajtimet më të Mira
Tharja e gojës mund të jetë një ndjesi torturuese, por çuditërisht është diçka e zakonshme.
Rreth 22% e njerëzve në mbarë botën kanë gojë të thatë, dhe ju mund të jeni një ndër to.
Në këtë artikull AgroWeb.org ju njeh me disa mënyra natyrale dhe disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë.
Konsumoni më shumë ujë
Konsumi i ujit së bashku me copat e akullit është një strategji efikase sepse uji i ftohtë mund të stimulojë më shumë pështymë sesa i ngrohti ose ai në temperaturën e dhomës
Në përgjithësi rritja e konsumit të lëngjeve është mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë për ta mbajtur gojën të lagësht.
Medikamentet mund të jenë shkaku
Nëse pini shumë ujë, por ende e keni atë ndjesi të tharjes së gojës, shkaku mund të fshihet tek medikamentet që mund të jeni duke marrë. Ky është një efekt anësor i zakonshëm i barnave me recetë dhe pa recetë.
Në këtë rast këshillohet të bisedoni me mjekun tuaj, në mënyrë që ai të mund të ndryshojë mjekimin tuaj.
Mbani një tabletë që stimulon pështymën
Disa tableta pa recetë të cilat ngjiten tek mishrat e dhëmbëve, kanë aftësinë të stimulojnë gjëndrat e pështymës. Vendosni një të tillë para gjumit për ta mbajtur gojën të lagësht ndërsa flini, ose përdoreni edhe gjatë ditës.
Përdorni sprai hidratues
Ka një shumëllojshmëri të sprajve të gojës pa recetë, që mund të ndihmojnë në zbutjen e tharjes së gojës. Ata veprojnë si zëvendësues të pështymës, duke mbajtur gojën të hidratuar.
Përtypni çamçakëz pa sheqer ose karamele
Përtypja nxit prodhimin e pështymës, kështu që çamçakëzi mund të jetë një opsion i mirë.
Sigurohuni që të zgjidhni llojin pa sheqer, për të evituar prishjen e dhëmbëve nga kavitetet që sheqeri shkakton.
Gjithashtu sigurohuni që çëmçakëzi nuk përmban alkool, gjë që mund ta përkeqësojë thatësinë.
Dhe për rezultate më të mira, zgjidhni një çamçakëz me mente, pasi aroma e saj nxit më tepër prodhimin e pështymës.
E njëtja gjë vlen edhe për karamelet. Për të maksimizuar efektin, zgjidhni karamele me shijen e agrumeve, kanellës ose mentes.
Kujdesuni për higjenën dentare
Lani dhëmbët dy herë në ditë për 2min dhe pastrojini ato me fije dentare të paktën një herë në ditë. Ky rregull do t’ju ndihmojë të ruani higjenën tuaj dentare por edhe të parandalojë tharjen e gojës.
Kujdesuni që pasta apo shpëlarësi i gojës të mos përmbajnë alkool sepse kjo mund të përkeqësojë gjendjen tuaj.
Kufizoni ushqimet e ëmbëla dhe disa pije
Edhe pse nuk ka ndonjë ushqim që mund të përmirësojë këtë gjendje, është një zgjedhje e mençur të kufizoni ëmbëlsirat.
Dhe për shkak se goja e thatë acarohet më lehtë, hiqni dorë nga çdo gjë që është pikante, e kripur, acide, krokante ose e vështirë për t’u përtypur.
Ndërsa pijet që duhet të shmangni janë ato me kafeinë, alkooli, çdo gjë me sheqer, përfshirë pijet sportive dhe ato të gazuarat.
Lini duhanin
Një studim të cilit AgroWeb.org iu referua, zbuloi se pirja e duhanit ul normat e prodhimit të pështymës.
Merrni frymë përmes hundës
Për të zvogëluar rrezikun e tharjes së gojës, provoni të merrni frymë përmes hundës, në vend të gojës.
Frymëmarrja nga goja mund të tregojë shumë për praninë e apnesë së gjumit ose një problem të mundshëm të hundës ose të sinusit, siç është një septum i devijuar.
Për të kuptuar pse po merrni frymë përmes gojës këshillohet të vizitoheni tek një mjek Otorinolaringolog.
Çfarë e shkakton tharjen e gojës?
Nëse keni gojë të thatë, gjëja më e rëndësishme është të kuptoni shkakun, vetëm kështu do të arrini ta parandaloni atë.
Ndër arsyet kryesore janë frymëmarrja me gojë dhe medikamentet që merrni.
Është gjithashtu e mundur që të shkaktohet nga sëmundje si diabeti, parkinsoni, disa sëmundje autoimune që sulmojnë gjëndrat e pështymës, ose nga terapia kundër kancerit. /AgroWeb.org