Sat, Nov 30, 2024

Shuhet në moshën 100 vjeçare ish-sekretari amerikan i shtetit, Kissinger

  • PublishedNovember 30, 2023

Kissinger ishte diplomati më i lartë i Amerikës dhe këshilltari i sigurisë kombëtare gjatë administratave të Nixon dhe Ford.

Ai më 27 maj të këtij viti mbushi plot 100 vjeç. Rama atë ditë e quante “Big Boss”, kurse ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shkruar për:
“Nga një fëmijë hebre në Gjermaninë naziste, ai arriti të bëhej këshilltar për sigurinë kombëtare i Presidentit të SHBA-ve dhe më pas Sekretar i Shtetit. Në thelb më shumë europian sesa amerikan, një personalitet i jashtëzakonshëm, i shënuar nga tragjedia europiane që pësoi një pjesë e familjes së tij, Kissinger zbuloi prej saj pesimizmin e thellë të natyrës njerëzore dhe një konservatorizëm që “preferon padrejtësinë në vend të kaosit”.

Kissinger ka fituar gjithashtu edhe Çmimin Nobel për Paqen, së bashku me udhëheqësin e Vietnamit të Veriut, në 1973.
Henry Kissinger ishte 15 vjeç kur ai dhe familja e tij u larguan nga Gjermania naziste dhe u transferuan në New York në vitin 1938.

Pasi shërbeu në ushtrinë amerikane dhe u bë një akademik i respektuar, Kissinger hyri në Shtëpinë e Bardhë si dora e djathtë e Presidentit Richard Nixon në politikën e jashtme në vitin 1969.

Në vitin 1973, ai u emërua gjithashtu në rolin e Sekretarit të Shtetit, duke i dhënë atij një ndikim të paprecedentë mbi mënyrën se si u soll SHBA-ja në mbarë botën gjatë Luftës së Ftohtë.

Kissinger luajti një rol kyç në marrëdhëniet e SHBA me Rusinë Sovjetike dhe Kinën. Ai do të mbahet mend edhe për ndikimin e tij në Luftën e Vietnamit.

Ai vazhdoi të ishte një kontribues i zëshëm për çështjet ndërkombëtare deri në pleqëri, madje u takua me presidentin kinez Xi Jinping në korrik në moshën 100-vjeçare.