Dy raste tronditëse për lekët! Babai dorëzoi vajzën dhe burri porositi vrasjen e gruas
Dy ngjarje të rënda ndodhën brenda pak ditëve në Kosovë dhe Maqedoni. U vra grua dhe një vajzë 14-vjeçe. Motivi duket se ka qenë i njëjtë; paratë. Në 29 Nëntor u vra Liridona Ademi në Prishtinë. Tre persona janë arrestuar, mes tyre burri, ekzekutori dhe një bashkëpunëtor.
Gruaja u qëllua me një plumb në qafë teksa ndodhej në makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj të mitur. Burri e thuri ngjarjen si grabitje duke inskenuar gjithçka dhe motivi dyshohet se ishte sigurimi miliona euro i Liridonës, pasi kishte edhe shtetësi suedeze.
Në Maqedoni disa ditë pas rrëmbimit u gjet trupi i pajetë i një vajze 14-vjeçe. Përpos trupit të pajetë të Vanja Gjorçevskas u gjet dhe një i moshuar i vdekur. Pesë persona, tre prej të cilëve janë arrestuar dyshohen se janë pas ngjarjes së rëndë. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut deklaroi se ka dyshime se është i përfshirë në këtë krim kundër vajzës së tij edhe babai.
“Rrëmbimi ka ndodhur në marrëveshje me babanë e vajzës, i cili është marrë vesh me organizatorin e grupit dhe të dyshuarin kryesor, biznesmenin Palevski. Babai i tregoi orën që vajza kthehej nga shkolla dhe qëllimi ishte zhvatja e parave nga nëna e së miturës” shkruajnë mediat në Maqedoni.