Durrësi, qyteti i lashtë me kujtesë të shkurtër – Reporter.al
Durrësi, qyteti më i lashtë i vendit tonë duket se ka një kujtesë të shkurtër, ose ndoshta i mungon dëshira ta dëshmojë të kaluarën e tij.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, një nga më të fuqishmit që e ka prekur qytetin antik në historinë e tij 3 mijë vjeçare, tashmë përmendet vetëm nga familjarët që vuajnë mungesën e banesave dhe vazhdojnë ti kenë sytë në projektin kombëtar të Rindërtimit.
Askush nuk ka inkurajuar deri tani krijimin e një monumenti memorial, që të sjellë në vemendje 54 sekondat e tmerrshme të sizmës, që lanë pas 26 viktima në bashkinë e Durrësit, dhe po aq të tjerë në Thumanë. E po ashtu të kujtojë nevojën e kujdesit për të minimizuar rreziqet e këtij lloji në të ardhmen.
Deklaratat e drejtuesve lokalë për ndërtimin e një memoriali, në një nga vendet ku u rrënuan plotësisht disa nga pallatet e ndërtuara kohë më parë brenda qytetit, u harrruan shpejt.
Propozimit të restauruesve durrsakë, për ta kthyer Kullën C, e cila u shemb pjesërisht nga lëkundjet sizmike, në një muze të hapur, i cili do të ekspozonte të gjithë elementet që u mblodhën pas tërmetit, nuk u dëgjua.
Kulla me lartësi mbi 10 metra, që mund të ruhej me të njejtën pamje të mureve të përgjysmuar nga rrënimi që i shkaktoi tërmeti i katër viteve më parë, kishte pësuar dëmtime të ngjashme nga tërmeti i vitit 1273, kur paretet e saj ishin shembur e rindërtuar thuajse njëlloj.
Tërmeti i vitit 2019 mund të mbetet një datë në letër, nëse artistëve nuk do tu kërkohet në formën e një konkursi, që të krijojnë skulpturën urbane, që do tu kujtojë turistëve vendas dhe të huaj çastet e vështira të një nate të gjatë shkatërrimtare që pllakosi qytetin shumëshekullor.
Kujtesa e qytetit do të shkurtohet, për aq kohë sa institucionet do të merren vetëm me riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e natës së fundnëntorit të katër viteve të shkuara.
Me të njejtën mungesë interesi Durrësi reagoi në vitin 1991, kur mijra shqiptarë në fillim të muajve mars dhe gusht u nisën me anije drejt Italisë.
Po nga qyteti-port ishin nisur në korrikk të vitit 1990 edhe disa mijra qytetarë të tjerë, të cilët nga ambasadat e huaja në Tiranë, ku ishin strehuar, u transportuan me autobuzë drejt kalatave portuale ku prisnin anijet.
E gjithë kjo ngjarje e shtrirë në dy vite, e njohur si përpjekja masive e shqiptarëve për tu ndarë nga e kaluara komuniste, u emërtua po aq e rëndësishme sa rënia e “Murit të Berlinit”.
Por gjurmët e eksodit, edhe pas tre dekadash, nuk duken askund në qytetin me histori të madhe, por me kujtesë të shkurtër.
Përpjekjet për ta risjellë historinë me elementet e saj më të rëndësishëm, edhe në këtë rast kanë dështuar.
Ngjarjeve pa kujtesë të historisë moderne i shtohen datat e qytetit në shekujt e parë të erës së re.
Shën Asti, i njohur edhe si shënjti mbrojtës i Durrësit, sipas historianëve dhe artistëve meriton një vemendje të shtuar.
Ai u martirizua 1925 vjet më parë, më 7 korrik të vitit 98 pas erës sonë, ndërsa kishte nisur të kryente detyrën e peshkopit të qytetit të Durrësit.
Shtatë të krishterë të rinj, të cilët u bënë dëshmitarë të vuajtjeve të Astit u gjunjëzuan poshtë kryqit të tij dhe më pas u kryqëzuan njëlloj – dëshmon historia.
Në fund të viteve 1990, skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha realizoi tre bocete të figurës së shenjtit, të cilat u pritën mirë edhe nga drejtuesit e pushtetit vendor.
Por askush nuk e ndërmorri hapin, për ta kthyer në realitet këtë vepër memorial.
Një tjetër shans i qytetit për të dëshmuar historinë e tij të hershme, Shën Asti mbetet në kumtesat e studiuesve dhe historianëve, ndërsa qytetarët e njohin ende shumë pak figurën e tij.
Lëkundjet e rënda sizmike nuk janë të panjohura në historinë e Durrësit.
Ato kanë ndikuar për ndryshimet e mëdha urbanistike në qytet, por mbi të gjitha për rikthimin e paraardhësve tanë në Durrësin e zbrazur herë pas here nga tërmetet.
Thuaje një shekull më parë, lëkundjet e 17 dhjetorit 1926 u shfrytëzuan për të krijuar një pamje të re në qendrën e qytetit.
Godinat e shkatërruara të pazarit të vjetër u harruan shpejt dhe në vend të tyre u ndërtua bulevardi që shkon drejt hyrjes së portit, dhe që njihet aktualisht me emrin “Epidamn”.
Në të njejtën periudhë, pas tërmetit, u ndërtuan godina e Bashkisë aktuale, ndërtesat e drejtorisë së portit dhe xhamia e madhe e qytetit, një kompleks urbanistik që po të shihet nga lart, ka pamjen e një spirance detare.
Pak më tej në vitin 1928 përfundoi godina e Bankës së Shtetit, një nga më përfaqësueset në qytetit bregdetar. Në kodër u ngrit godina e njohur me emrin “Vila mbretërore”.
Qytetarët mësuan mbi efektet e tërmetit 1926 vetëm kur lëkundjet e rënda u përsëritën në nëntor 2019.
Edhe në këtë rast, Durrësi nuk kishte konservuar asnjë element nga jeta e tij e mëparshme dhe njëlloj si tani nuk kishte asnjë shenjë në përkujtim të asaj date.