Sun, Nov 24, 2024

Çmimet e karburantit në vendin tonë “të ngrira”, në tregjet botërore kanë rënie…

  • PublishedDecember 5, 2023

Çmimet e naftës në tregjet botërore kanë rënë ndjeshëm krahasuar me nivelet maksimale vjetore që shënuan mes muajve shtator dhe tetor.

Në fillim të kësaj jave, nafta Brent tregtohej pranë vlerën së 78 USD për fuçi, ndërsa në fund të muajit shtator, çmimi i naftës bruto arriti nivelin më të lartë për vitin 2023, me 96.55 USD për fuçi. Në dy muajt e fundit, çmimi i naftës bruto ka rënë me afërsisht 18%.

Kjo rënie në vija të përgjithshme reflektohet edhe në çmimet e bursës së produktit final.

Ditën e hënë gazoili tregtohej në Bursën e Londrës me një çmim prej afërsisht 793 USD për ton, në vlera ndjeshëm më të ulëta krahasuar me nivelin prej pothuajse 1000 USD/ton të dy muajve më parë.

Por, prej afërsisht dy muajsh tendenca në rënie e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk po reflektohet aspak në çmimet me pakicë të karburanteve në Shqipëri. Çmimet e gazoilit dhe benzinës në pikat e shitjes janë praktikisht të pandryshuara pranë nivelit të 200 lekëve për litër.

Madje, as forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me dollarin gjatë muajit nëntor nuk ka sjellë ulje të çmimeve. Të hënën dollari amerikan këmbehej në vlerën e 93.63 lekëve, në rënie me më shumë se 7% krahasuar me fillimin e muajit tetor, kur paralelisht edhe çmimet e gazoilit ishin në nivelet më të larta vjetore.

Shifrat e analizuara nga Auitoriteti i Konkurrencës kanë treguar se tregu i karburanteve ka një shkallë të lartë përqendrimit në nivel të importit dhe të tregtimit me shumicë. Deri vitin e kaluar, tre kompanitë më të mëdha zotëronin rreth 75% të tregut me shumicë të naftës./Monitor

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net