Sun, Nov 24, 2024

Perëndimi kërkon arrestimin e tij, Putin do të vizitojë Emiratet Arabe

  • PublishedDecember 5, 2023

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të bëjë një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite, të mërkurën, ka bërë të ditur një zëdhënës i Kremlinit.

Udhëheqësi rus, po ashtu, do të zhvillojë bisedime në Rusi, një ditë më vonë, me presidentin e Iranit, ka njoftuar zëdhënësi.

I pyetur nëse Putin do të diskutojë për veprime të mundshme të koordinuara ndaj tregjeve globale të naftës gjatë qëndrimit në vendet e Gjirit, zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se bisedimet e tilla janë mbajtur në kuadër të grupit OPEC+, që përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, por se çështja është gjithmonë në agjendë.

Vizita e Putinit në Emirate dhe në Arabinë Saudite vjen pasi OPEC+ u pajtua të enjten e kaluar për zvogëlim vullnetar të furnizimeve për rreth 2.2 milionë fuçi në ditë, një lëvizje që u prit me skepticizëm nga tregu i naftës, raporton Reuters.

Planet për udhëtimin e Putinit në Arabinë Saudite, që është eksportuesja më e madhe e naftës në botë, dhe në Emirate u zbuluan fillimisht të hënën, nga agjencia e lajmeve SHOT, e cila citoi këshilltarin e Kremlinit për politikë të jashtme, Yury Ushakov, të ketë thënë se Putin do të shkojë fillimisht në Emirate, e më pas në Arabinë Saudite, ku do të zhvillojë bisedime kryesisht me princin Mohammed bin Salman.

Putin dhe princi, i njohur si MbS, kanë ndërtuar lidhje të ngushta. Ata ishin vendimtarë në arritjen e një marrëveshjeje për formimin e një grupi të prodhuesve kryesorë të naftës, tani i njohur si OPEC+, në fund të vitit 2016, për t’i mbështetur tregjet e energjisë, që janë kyç për të ardhurat buxhetore të të dyja vendeve./REL

AlbaniaWeb.net