‘Mjeshtër i fjalës’/Gjebrea, mesazh për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit
Mes artistëve të cilët kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës shqiptare, Mirush Kabashi, është edhe Ardit Gjebrea. Gjebrea e kujton, Kabashin si ‘Mjeshtër të fjalës dhe të skenës’. Prezantuesi dhe këngëtari i njohur ka ndarë në rrjete sociale një foto të aktorit të ndjerë i cili ndërroi jetë orët e para të mëngjesit të sotëm. Ndërsa prej ditësh, Kabashi ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Mirush Kabashi u nda nga jeta në mesnatën e 5 dhjetorit. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e tij. Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.