Wed, Nov 27, 2024

Profesori: Fëmijët e Liridonës do t’i marrë Suedia

  • PublishedDecember 5, 2023

Qindra shqiptarë e suedezë në Udevalla të Suedisë, ku ka jetuar Liridona Ademaj, kanë bërë homazhe për Liridonën. Para kafenesë ku ka punuar Liridona, ata kanë vendosur lule e shumë qirinj, ndërsa kanë shprehur dhimbjen e madhe edhe për familjen e saj në Kosovë.

Profesor Fetah Bahtiri, i cili jeton për mbi 30 vjet në atë qytet, thotë se janë tronditur thellë nga vrasja e Liridonës.

“Vrasja e Liridonës ishte shumë e tmerrshme për të gjithë ne shqiptarët që jetojmë këtu. Pronari i kafenesë ku ka punuar Liridona Ademaj, Baki Shahini, ka organizuar aty një moment kujtese, që këtu në Suedi e quajnë ‘Çasti i kujtesës’ dhe aty jemi mbledhur shumë shqiptarë për ta kujtuar Liridonën. Kishte edhe shumë suedezë të cilët janë bashkuar në këtë homazh tonin. Ishte edhe deputeti Jakobson, i cili më shprehu ngushëllime dhe ishte thellë i prekur edhe ai, sepse Liridonën e kanë njohur të gjithë. Nuk ka asnjë njëri që mund të ketë ditur ndonjë fjalë të keqe nga ajo… lulet dhe qirinjtë e shumtë janë ndezur gjatë gjithë natës aty”, tha ai.

Profesor Fetah Bahtiri ka folur në një intervistë ekskluzive për emisionin me bashkatdhetarë në Radio Kosovë, që e realizon Hyrë Tejeci Murati. Njerëzit janë shumë të prekur tha profesor Bahtiri, i cili nuk përmbante lotët gjatë intervistës.

Ndërsa sa i përket trajtimit të fëmijëve të Liridonës, të cilët janë vetëm 6 e 5 vjeç, profesor Bahtiri thotë se ata shumë shpejt do t’i marrë shteti suedez. Profesor Fetah Bahtiri është njohës i mirë i ligjeve në Suedi, ka qenë përkthyes zyrtar për shumë vjet në Suedi.

 

“Në rastin konkret ata fëmijë duhet të kthehen në Suedi, pa vonesë. Unë kam qenë përkthyes i autorizuar dhe kam pasur shumë përvojë me situata të tilla. Këtyre fëmijëve nuk u lejohet në ambientin ku iu ka ndodhur fatkeqësia e nënës së tyre. Kthimi në familjen Murseli është punë e çështje e varrosur, nuk i lënë më aty” theksoi ai./Zëri

AlbaniaWeb.net