“Isha për spital dhe jo për garë”, Briken Calja tregon arsyet e dështimit në Botëror: Shkova në superformë por…
Ndonëse shkoi me objektiva madhorë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Kolumbi, Briken Calja nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, duke u renditur në vend të nëntë në shkëputje, ndërsa dështoi në shtytje dhe si rrjedhojë nuk u klasifikua në dygarësh.
I kthyer në Shqipëri, në një intervistë për “Panorama Sport”, Calja ka folur gjerësisht për garën e zhvilluar në Kolumbi, duke shpjeguar edhe arsyet e dështimit. Ai rrëfen se lartësia e madhe mbi nivelin e detit në Bogota (2640 metra) i ka kushtëzuar garën, ndërsa bën të ditur se në ato kushte ishte për spital dhe jo për të konkurruar në Botëror.
Briken, si do ta komentoni Botërorin? Çfarë nuk shkoi?
Gjithçka dukej se po shkonte mirë, pasi isha në superformë, duke iu referuar edhe testeve të bëra para Botërorit. Por me mbërritjen në Bogota ndryshimi ishte shumë i madh, pasi bëhej fjalë për një qytet me 2640 metra lartësi mbi nivelin e detit. Personat që janë pjesë e sportit e kuptojnë shumë mirë se çfarë do të thotë të bësh sport në një lartësi të tillë. Është e pamundur të jetosh e jo më të stërvitesh, sidomos për ne që vijmë nga vende të ulëta, sepse oksigjeni është i pakët dhe normalisht që trupi vuan shumë.
Si ishte të garoje në Bogota?
Ishte e pamundur të jetoje e jo më të stërviteshe apo të garoje. Unë para garës kam shkuar që të marr dy herë oksigjen, sepse e kisha të pamundur të tregoja formën time në kushte të tilla. Duhej një periudhë shumë e gjatë që trupi të ambientohej me ato kushte. Nevojitej kohë përgatitjesh me të tilla lartësi, por në Shqipëri nuk e kemi luksin, pasi i bie vetëm që të stërvitesh në Majën e Korabit. Ky ishte Botërori i dështimeve për shumë sportistë, jo vetëm për mua. Këtu flas për peshëngritës kampionë olimpikë, kampionë bote apo kampionë kontinentesh, të cilët dështuan. Ky ishte rasti i parë dhe i vetëm për mua që garoja në lartësi të tilla. Oksigjenin në Bogota e kisha 85, tregues që duhet të shkosh në spital dhe jo të futesh në garë. Gjithsesi kërkova medalje, pasi provën e fundit e kisha për argjend.
Megjithatë në shkëputje ishit shumë afër me rivalët, pasi regjistruat rezultat të njëjtë me vendin e gjashtë…
Ishim të gjithë me peshë të njëjtë (150 kg), por unë e realizova i fundit provën. Bëra gjithçka, por ishte e pamundur pasi nuk arrija të mbushesha me frymë, këtu nuk flas vetëm për stërvitjen apo garën, por edhe në ditë normale. Ishte e vështirë jo vetëm për shtangistët, por edhe për stafet, të cilët kishin probleme të mëdha me oksigjenin.
Këtë vit ndërpretë ecurinë fantastike prej disa sezonesh radhazi me medalje europiane apo botërore…
Ky ishte viti më i keq i karrierës sime. E para, pasi kam kaluar një dëmtim serioz, që ishte edhe një ndër arsyet kryesore. Më vjen keq pasi prej 5 sezonesh radhazi isha pjesë e medaljeve ndërkombëtare, duke qenë se në vitet 2016, 2017, 2018, 2019 dhe 2021 kisha fituar gjithnjë medalje europiane dhe botërore.
Me rezultatin 156 kg në shkëputje të një viti më parë në Uzbeksitan do të ishit sërish kampion edhe në Kolumbi…
Po është e vërtetë. Një vit më parë dola kampion bote në shkëputje me 156 kg, në një kompeticion që u përfol shumë për mungesën e Kinës apo shteteve të tjera, ndërsa këtë sezon ishin të gjithë dhe medalja e arit u fitua me 155 kg. Pra ndryshimi ishte për ambientin dhe klimën.
Çfarë pret Briken Calja nga e ardhmja?
Tani jam mirë dhe do të filloj përsëri përgatitjet, pasi së shpejti do të vijë Europiani i Armenisë dhe ashtu sikurse e kam deklaruar, ky event do të flasë shqip sërish. Për këtë të jeni të sigurt. Jo vetëm do të flasë shqip, por pse jo të thyej edhe rekordin Europian, që do të ishte e treta e vërteta. Është një kompeticion shumë i rëndësishëm edhe kualifikues për Lojërat Olimpike. Dua ta mbyll me një falënderim për njerëzit që më kanë mbështetur në një prej momenteve më të vështira për mua, pasi në momente krenarie vijnë të gjithë. Dua të falënderoj në radhë të parë familjen, stafin tim që janë Gerald dhe Vani Toskën, njerëz shumë të përkushtuar dhe të suksesshëm. Pjesë e sukseseve të mia është edhe klubi Tirana, të cilët i falënderoj pasi janë treguar jashtëzakonisht korrekt. Normalisht pjese e sukseseve ka qenë edhe federata, pavarësisht mosmarrëveshjeve.