KLGJ mbyll procedimin ndaj gjyqtarit Markelian Koça
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mbyllur procedimin e harruar disiplinor për magjistratin Markelian Koça, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndaj Koçës gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i zgjedhur së fundmi nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve si anëtar i KLGJ-së, kishte një procedim të pezulluar që prej vitit 2013.
Procedimi, i nisur në vitin 2012 dhe i pezulluar në vitin 2013, pasi çështjet për të cilat bëhej ishin ende duke u gjykuar, ishte harruar ndërkohë në arkiva. ILD bëri me dije në një njoftim për shtyp se procedimi iu transferua për shqyrtim nga KLGJ vetëm në qershor të këtij viti. Pas shqyrtimit paraprak ILD vuri në dukje se procedimi nuk mund të ndiqej për shkak të një vendimi pezullimi të ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i kërkoi KLGJ-së të hiqte pezullimin.
Pas vendimit formal për heqje të pezullimit një javë më parë, ILD shqyrtoi ankimin e harruar dhe gjeti se afatet për trajtimin e tij kishin kaluar. “Pasi u njoh me dosjen e procedimit disiplinor, të nisur ndaj magjistratit në vitin 2012, konstatoi se shkeljet e pretenduara kanë ndodhur në vitin 2009 dhe në vitin 2012 janë parashkruar”, thuhet në njoftimin e ILD.
I pranishëm gjatë seancës së shqyrtimit në KLGJ Koça tha se ai nuk do të fshihej pas procedurave, por u mbrojt duke thënë se ankimi ndaj tij prej ish-ministrit të Drejtësisë së kohës ishte i pabazuar.