Sat, Nov 30, 2024

Kushtetuesja pezullon ratifikimin e marrëveshjes, mediat italiane: Dush i ftohtë për Melonin

  • PublishedDecember 13, 2023

Gjykata Kushtetuese vendosi të shqyrtojë padinë e bërë nga dy palët e opozitës për marrëveshjen e refugjatëve me Italinë, duke pezulluar kështu automatikisht procedurën e ratifikimit në Kuvend të saj dhe ky lajm është pasqyruar gjerësisht dhe në mediat italiane.

“La Stampa” shkruan se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas dy ankesave të paraqitura veçmas nga Partia Demokratike Shqiptare dhe 28 deputetë të tjerë të rreshtuar përkrah ish-kryeministrit të qendrës së djathtë Sali Berisha.

“Apeli pretendon se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të cilave Shqipëria aderon. Kjo do të thotë se ratifikimi parlamentar i marrëveshjes pezullohet derisa gjykata të nxjerrë një vendim, për të cilin ka 3 muaj,” shkruan më tej gazeta italiane.

Këtë vendim, La Stampa e quan si një “dush të ftohtë”, për qeverinë Meloni, pikërisht në ditën kur kryeministri mori mbështetjen e plotë nga presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen.

Për von der Leyen, “ne duhet të punojmë së bashku për të ruajtur vrullin e krijuar nga Konferenca Ndërkombëtare për Zhvillimin dhe Migracionin në korrik dhe të vazhdojmë këtë punë përmes procesit të Romës, duke eksploruar forma të ndryshme bashkëpunimi me vendet partnere mbi bazën e interesit të ndërsjellë.”

“Ansa” ka ndarë nga ana tjetër dhe informacione nga burimet pranë Këshillit të Ministrave në Itali.

“Burime sqarojnë se nuk duan të komentojnë vendimin e Gjykatës shqiptare, pasi është një vendim i një gjykate kushtetuese të një vendi të tretë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, nënvizohet se nuk ka asnjë shqetësim për ndonjë vonesë në zbatimin e Memorandumit, për ratifikimin e të cilit Kuvendi i Tiranës do të presë tashmë vendimin e Gjykatës,” shkruan ajo.

AlbaniaWeb.net