Sat, Nov 30, 2024

50 muaj burg, VOA: Në shkurt, McGonigal dënohet për dosjen shqiptare

  • PublishedDecember 15, 2023

Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së për kundërzbulimin u dënua të enjten me mbi katër vjet burg për shkelje të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ai kishte punuar për një oligark rus që kërkonte të dhëna ndaj një rivali të pasur. Charles McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në daljen e tij në pension në vitin 2018, pranoi në muajin gusht se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska për të gjetur të dhëna negative për oligarkun rival Vladimir Potanin.

55-vjeçari Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes, Jennifer H. Rearden, tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë.

Prokurori e cilësoi krimin e të pandehurit McGonigal si një etje për para i cili i kishte përdorur njohuritë që fitoi gjatë karrierës në FBI për t’i shërbyer një oligarku famëkeq rus, industrialistit miliarder Oleg Derispaska, dikur të hetuar prej tij.

Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj oligarkut Deripaska për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pasi iu dha rasti për të folur, McGonigal tha me një zë ndonjëherë që i dridhej se ishte penduar thellë dhe i vinte keq për veprimet e tij.

Zoti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar, ndërsa McGonigal punonte për FBI-në. Për këtë rast ai do të dënohet më 16 shkurt. Gjykatësja Rearden e urdhëroi atë që të paraqitej në burg më 26 shkurt.

AlbaniaWeb.net