Sat, Nov 30, 2024

“Të githë janë atje për jetë a vdekje”, Sylvinho flet për Europianin: Do të japim gjithçka

  • PublishedDecember 15, 2023

Shorti i “Euro 2024” nuk ishte dhe aq fatsjellës për Shqipërinë ku kemi kundërshtarë skuadra triumfatore të kupave botërore e Europiane.

Trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho ka pranuar se ky ishte “grupi i ferrit”.

“Aty të gjitha ndeshjet janë të vështira. Nëse nuk është Spanja, është Franca, janë të gjitha të vështira. Është një grup i vështirë, por ne duhet të provojmë forcën tonë dhe të rritemi. Ne mendojmë se duhet të luajmë më shpesh në Europian dhe të mos presim kaq shumë vite. Duhet të provojmë të shkojmë në Botëror, ku nuk kemi qenë asnjëherë. Objektivi i vërtetë është që të shfrytëzojmë Europianin për t’u përballur me skuadra të forta dhe për t’u rritur edhe më shumë”, u shpreh Sylvinho në një intervistë për mediat në Kosovë duke u ndal më pas te mundësitë që ka ekipi i tij:

“Është një grup i vështirë, shumë i fortë, por fillimisht duhet të luajmë ndeshjet tona dhe të shohim çfarë do të arrijmë. Ne do të provojmë, ndonëse e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Është një kompeticion i rëndësishëm që zgjat 30 ditë dhe të gjithë janë atje për jetë a vdekje, për të dhënë gjithçka në fushë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. E dimë që ata janë të fortë, por ne do të provojmë”, theksoi ndër të tjera Sylvinho.