Sat, Nov 30, 2024

Vuçiç shpalli fitoren “absolute”, opozita serbe kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd

  • PublishedDecember 18, 2023

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.

“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal,” tha koalicioni.

Nga ky koalicion po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”. Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviç, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ishte 57.65 për qind.

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor deri më tani janë numëruar votat për zgjedhjet parlamentare në pothuajse 35 qendra të votimit.

Sipas rezultateve paraprake, lista zgjedhore “Aleksandër Vuçiç Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 50.42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkaq lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 19.25 për qind. E treta është lista “Ivica Daçiç kryeministër i Serbisë” me 7.19 për qind të votave.

Në vendin e katërt është lista “Shpresë për Serbinë” me 4.45 për qind të votave, pasuar nga “Ne Zëri i popullit” me 4.06 për qind./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net