Sun, Nov 24, 2024

Prokurori Valentin Preçi përballet me barrë prove për pasurinë

  • PublishedDecember 19, 2023

Analiza financiare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e nxorri prokurorin e Tiranës, me një bilanc negativ prej rreth 7 milionë lekësh. Bazuar në raportin e lexuar nga relatorja e çështjes ndaj tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Preçi rezultonte me mungesë të ardhurash të ligjshme në disa vite, kryesisht për shkak të transaksioneve me një kredi, të ardhurave të patatuara të bashkëshortes, dyshimet mbi një hua dhe mënyrës së deklarimit të kursimeve cash.

Preçi  dhe avokatja kundërshtuan gjetjet e Komisionit. Në fjalën e tij, prokurori tha përmbledhtas se bazuar në argumentet që kishte paraqitur, priste konfirmimin në detyrë. Zano lexoi argumentet e tij sa i përket kriterit të pasurisë, duke këmbëngulur se ishin sjellë prova të mjaftueshme për të rrëzuar barrën që i ishte kaluar nga Komisioni.

Prokurori Valentin Preçi i Prokurorisë së Tiranës po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe anëtar.  Valentin Preçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës.

Problemet e pasurisë

Një apartament 84 metra dhe një garazh të blera në vitin 2008 për 50 mijë euro rezultuan sipas KPK-së me probleme. Sipas Komisionit, Preçi kishte marrë dy kredi dhe i kishte deklaruar këto si pagesa për apartamentin.

Por relatorja Pine tha se ndryshe nga kredia 24 mijë euro e marrë dhe e transferuar në llogari të kompanisë së ndërtimit, një kredi konsumatorë 5 mijë euro ishte tërhequr cash nga subjekti. Objekti i kredisë ishte mobilimi dhe KPK duke marrë në konsideratë kohën e vendosjes së subjektit në apartament, ngriti dyshime se kjo shumë ishte përdorur për mobiljet dhe jo për shlyerje të banesës. Veç kësaj, probleme sipas KPK-së kishte dhe në këstet e tjera të përdorura për apartamentin.

Në total sipas KPK, Preçi rezultonte me një bilanc negativ prej 1.3 milionë lekësh sa i përket kësaj kredie.

Zano i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, ndërsa pretendoi se kishte vendime të KPA sa i përket përdorimit të kredive në ndryshim nga destinacioni. Zano këmbënguli po ashtu edhe se subjekti dhe personat e lidhur kishin pasur të ardhura për të shlyer këstet shtesë.

Ajo këmbënguli të merrej në konsideratë një hua nga një i afërm në Greqi, të cilën KPK e kishte rrëzuar. Sipas Zanos, KPK i kishte llogaritur shpenzimet e emigrantit njësoj me ato të një shtetasi grek, duke e nxjerrë atë në pamundësi kursimi. Avokatja tha se KPK duhej të konsideronte këtë pikë.

KPK po ashtu ngriti dyshime mbi një shumë prej rreth 7500 eurosh të deklaruar si të fituara në lloto nga Preçi. Pine tha se për këtë shumë nuk kishte asnjë provë dhe se pretendimi i subjektit se e kishte shpenzuar atë për shpenzime jetike nuk provohej.

Avokatja Zano këmbënguli se paratë e fituara në lloto duhej të konsideroheshin të ligjshme. Ajo tha se Preçi kishte blerë vetëm një herë një biletë dhe iu referua KPA që nuk e kishte cilësuar këtë shkelje etike.

Përtej këtyre, KPA gjeti mungesa të ardhurash të ligjshme të subjektit në disa vite që e çonin bilancin negativ në 7 milionë lekë. Komisioni vuri në dukje se të ardhurat nuk mbulonin detyrimet financiare dhe as kursimet në vite. Një pjesë e problemit dukej se vinte nga mosnjohja si të ligjshme e të ardhurave të bashkëshortes në Shqipëri dhe SHBA.

Bazuar në qëndrimet e KPK-së, Zano pretendoi që Komisionit të merrte në konsideratë të ardhurat e bashkëshortes edhe pse për këto nuk ishin paguar tatime. Zano këmbënguli se bashkëshortja e subjektit kishte qenë kryeredaktore e një reviste, se ishte paguar neto dhe se pjesa e detyrimeve ishte mbajtur nga botuesi. Sipas avokates ishte ky i fundit që kishte pasur detyrimin të bënte pagesat e tatimeve dhe sigurimeve. Ajo po ashtu argumentoi se KPK duhej të njihte edhe të ardhurat e fituara në SHBA.

Avokatja po ashtu kundërshtoi gjetjet e KPK-së në lidhje me shpenzimet e udhëtimit dhe mënyrën e deklarimit të gjendjes cash.

Dyshime për konflikt interesi

Sipas Komisionit, Preçit i ishin kërkuar shpjegime në lidhje me dy çështje që kishte hetuar. E para kishte të bënte me një vendim pushimi në një çështje ku rezultonte i përfshirë ortaku i kompanisë që i kishte dhënë atij një objekt që shërbeu si kolateral për apartamentin e blerë në Tiranë. Zano shpjegoi se Preçi kishte qenë në dijeni të këtij problemi dhe i kishte kërkuar eprorit dorëheqjen nga kjo çështje.

Në rastin e dytë bëhej fjalë për hetimet që përfshinin një person, i cili i kishte dhuruar prokurorit 300 dollarë. Sipas KPK-së, një vit para se të bëhej ky dhurim, Preçi kishte pasur në dorë një çështje për të cilën ishte vendosur pezullimi, për shkak të mungesës së provave.

Zano shpjegoi se dhurimi i kryer përmes bankës ishte një akt i të afërmve të prokurorit për të ndihmuar në kurimin e djalit të këtij të fundit. Ajo shpjegoi se prokurori nuk kishte pasur takime apo njohje me personin në fjalë para këtij dhurimi dhe këmbënguli se gjatë kohës që ishte hetuar çështja që përfshinte këtë të fundit, palët nuk njiheshin.

Vetë Preçi lexoi një mbrojtje të detajuar sa i përket pyetjeve të ngritura në kriterin e profesionalizmit. Një ndër çështjet ndaj tij ishte ankimi i një personi që ishte mbajtur me masë arresti në burg për 35 ditë. Personi i arrestuar pretendonte se ai ishte i pafajshëm dhe prokurori nuk kishte kryer hetime duke sjellë burgimin e tij të padrejtë.

Preçi pretendoi në fjalën e tij se në momentin e arrestimit kishte pasur dyshime të arsyeshme ndaj denoncuesit dhe se qëndrimi i tij në burg ishte i bazuar mbi këto dyshime. Preçi po ashtu kundërshtoi gjetjet edhe në denoncimet e tjera, kryesisht për mos kryerje veprimesh hetimore e të ngjashme.

Në fund të fjalës së tij, prokurori kërkoi të konfirmohej duke thënë se kishte treguar “korrektësi dhe ndershmëri në detyrë”.