VOA: Erdogani po kërkon të marrë rol udhëheqës në rajon
Rizgjedhja e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2023 i ka dhënë atij mundësinë për të vazhduar planet për ta bërë Turqinë udhëheqëse në rajon dhe në botën islame, si dhe angazhimin për t’u afruar me armiqtë e tij historikë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, kritikët e akuzojnë Presidentin Erdogan për përdorim të mandatit të tij për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve politikë brenda vendit.
Fitorja e Rexhep Tajip Erdoganit në zgjedhjet presidenciale të muajit maj i dha udhëheqësit turk mundësinë për një fillim të ri në marrëdhëniet me udhëheqësit e vendeve të Lindjes së Mesme, duke hequr dorë nga politika e rivalitetit në përpjekje për të rimarrë rolin udhëheqës në rajon, thonë disa analistë.
“Turqia ka bërë përpjekje për të ndryshuar politikën e saj të jashtme dhe atë rajonale. Presidenti Erdogan dhe ministria e jashtme turke kanë krijuar kushtet për bisedime me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Izraelin dhe Egjiptin”, thotë Mustafa Aydin nga Këshilli i Turqisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Shpërthimi i luftës mes Hamasit dhe Izraelit tregoi mbështetjen e fortë të Presidentit Erdogan për Hamasin, një veprim që gjerësisht shihet si një përpjekje për të kënaqur bazën e mbështetësve të tij fetarë dhe për të tërhequr mbështetjen e vendeve arabe. Ky është një distancim nga përpjekjet e mëparshme për një riafrim me Izraelin. Por, shpresat e zotit Erdogan për të marrë një rol udhëheqës në rajon morën një goditje nga roli udhëheqës i Katarit dhe Egjiptit si ndërmjetësues në konfliktin Izrael-Hamas.
“Kriza në Rripin e Gazës shfaqi dobësitë diplomatike të Turqisë. Në diplomaci, sa më pak të jeni në qendër të vëmendjes, aq më pak njerëz dhe vende kanë interes për ju”, thotë Ilhan Uzgel, analist i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Edhe Uashingtoni kryesisht e ka anashkaluar Ankaranë në përpjekjet për ndërmjetësim në këtë konflikt, duke u përqendruar më shumë në vendet e Gjirit. Marrëdhëniet me vendet aleate të NATO-s janë të tensionuara për shkak të zvarritjes nga Turqia të miratimit të kërkesës së Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake.
Por, Presidenti Erdogan ka qenë i suksesshëm në përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me rivalin historik të Turqisë, Greqinë. Në dhjetor, udhëheqësit e dy vendeve zhvilluan një takim, në të cilin u zotuan për një përmirësim të marrëdhënieve mes tyre. Analistët thonë se kjo do të ndihmojë marrëdhëniet Turqi-BE. Por, shqetësimet e Bashkimit Evropian mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi ka të ngjarë të vazhdojnë pasi kritikët po akuzojnë zotin Erdogan për përdorim të mandatit të ri për të shtypur kundërshtarët dhe organizatat e shoqërisë civile, që Presidenti turk i ka akuzuar për kërcënim ndaj pushtetit të tij.
“Ka patur një kufizim të madh të shoqërisë civile dhe nuk ka më hapësirë për kufizim të mëtejshëm të saj. Pra, ne jemi kufizuar në një fushë të vogël veprimi në aspektin e veprimtarisë aktiviste dhe organizatave të shoqërisë civile”, thotë Sinan Gokcen nga organizata Mbrojtësit e të Drejtave Civile.
Zoti Erdogan ka vënë tani në shënjestër gjykatën kushtetuese të Turqisë, duke akuzuar atë për minim të mandatit të tij elektoral, një veprim që kërcënon të thellojë armiqësitë e Ankarasë me aleatët e saj perëndimorë. Por, duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të Turqisë në një rajon të trazuar, analistët thonë se palët do të punojnë se bashku pasi zoti Erdogan do të jetë në pushtet, të paktën, edhe për disa vite të tjera.