SPAK kërkon gjykimin e kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari për falsifikim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 20 dhjetor se ka ka paraqitur kërkesën për gjykim në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë.
Në njoftim sqarohet se nga hetimet ka rezultuar se Hajdari kur ka kandiduar për kreun e Bashkisë Kuçovë në qershor të vitit 2019, në formularin e vetëdeklarimit ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.
Sipas SPAK, Hajdari duke qenë kandidat për kryetar i Bashkisë Kuçovë edhe në zgjedhjet vendore me datë 14 maj 2023 kur dhe është rizgjedhur, gjithashtu ka patur detyrimin ligjor për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.
Por, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të vitit 1999 nga Gjykata e Janinës në Greqi, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljen: “Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse”.
Sipas SPAK, Hajdari, kishte detyrimin ligjor për të deklaruar këtë rrethanë, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.