Shtesa e pagës, Qeveria miraton 1 miliardshin e parë për gjyqtarët e prokurorët
Kjo shumë është më pak se gjysma e shumës totale të përllogaritur nga ministria e Financave dhe shkon vetëm për 4 institucione të drejtësisë, përkatësish Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
“Ky akt normativ ofron percaktimin e nevojshëm në nen për të autorizuar lëvrimin e fondeve brenda buxhetit 2023 të një pjese në masën 1 miliardë lekë të efektit total financiar të përllogaritur në nivelin 2.1 miliardë lekë,” përcakton akti normativ.
Sipas arsyetimit në akt, ndarja e fondit do të bëhet bazuar në përllogaritje të bërë nga Ministria e Drejtësisë me nje efekt financiar prej 1. 68 miliardë lekë referuar katër institucioneve. Ndërkohë që efekti financiar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përfshin të gjithë institucionet e drejtësisë, që po ashtu kanë kërkuar nga Kuvendi që t’u njihet ky detyrim për punonjësit e tyre magjistratë.
Këto institucione po përballen me përmbarimin, pasi dhjetra prokurorë e magjistratë kanë fituar gjyqet për përfitimin e kësaj shtese page.
Sipas vendimit të GJK bëhet fjalë për një shtesë prej 14 mijë lekësh të pagës për magjistratët që nga viti 2019 e në vijim, pasi Kuvendi kishte përllogaritur gabim pagën bazë të tyre në ligjin për “Statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”.
Akti normativ i qeverisë për rishpërndarjen e fondeve të buxhetit 2023 parashikon rishpëndarjen e nje volumi prej rreth 20 miliarde lekësh te shpenzimeve te pergjithshme, që sipas arsyetimit të vendimit, – “mbulohet teresisht nga fondet e lira te rezultuara pas vleresimit te realizimit ne nivel 11-mujor te shpenzimeve te institucioneve buxhetore”.
Kursimet në buxhet kanë ardhur nga mosrealizimi i investimeve publike dhe mosplotësimi i vakancave në administratë.
Një pjesë e këtyre fondeve shkon si huadhënieje për AlbControl në masën 3 miliarde leke, që sipas aktit, është kërkuar për “rritjen e sigurise ajrore” nga Ministria e Infrastruktures dhe Energjise.
Njësitë e qeverisjes vendore po ashtu kanë përfituar nga kjo rishpërndarje fondesh në total një shumë prej 2 miliardë lekësh në formën e transfertës së pakushtëzuar e përgjithshme.
Por, në listën e bashkive nuk është përfshirë Bashkia Tiranë, e arsyetuar nga qeveria se “kjo bashki ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore”.
Pjesa tjetër e rishpërndarjes shkon për shpërblimin e administratës të angazhuar në procesin e negociatave për integrimin në BE dhe shtresat në nevojë.