Fri, Nov 29, 2024

Bosët e burgut si Escobari/ Hotel me 5 yje, palestër, ekspres, muzikë dhe “skllevër”

  • PublishedDecember 20, 2023

Ekzekutimi i Arben Lleshit brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin zbuloi një tjetër skandal. Privatizimin e burgut nga të dënuarit. Të fortët që bënin ligjin në atë burg. Kjo është zbuluar nga një dokument që drejtori i arrestuar dhe shefi i sigurisë në burg i dërguan drejtorin të përgjithshëm Admir Abrija duke e vendosur në dijeni për gjithçka. Drejtori evidenton se dhomat janë bërë të tilla sa janë të pamundura të kontrollohen është cenuar siguria dhe po rrezikohet jeta e personelit.

“Të burgosurve ju është lejuar ndërhyrja/investimi në dhoma (rikonstruktim/kompletim), tashmë thuajse të privatizuara, ndërhyrja ne dhoma ka kufizuar shumë mundësinë e kontrolleve. Ato që kanë qenë dhoma speciale janë arreduar dhe kthyer në dhoma të personalizuara dhe madje janë bërë ndërhyrje nga të burgosurit.

Në dhomat të takimeve të zgjatura (speciale) janë bërë ndërhyrje nga të burgosurit (arredime/kompletim me krevate/dyshekë/kondicionerë/televizorë/ekspres kafeje etj), nga informacionet që kemi këto dhoma janë të personalizuara.

Në të tre godinat (A/B/C), pothuajse të gjitha ambjentet e përbashkëta (dushe/klasa/dhoma këshillimi) e kanë humbur destinimin e tyre pas janë shndërruar në, palestra të personalizuara (ku jo të gjithë të burgosurit e kanë mundësinë ti frekuntojnë), vende ku ushtrohen punime artizanale, lavanteri të personalizuara etj…..

Të burgosurve u janë lejuar dhe futur në dhoma frigoriferë jashtë përmasave të lejuara, kondicionerë, furra pjekje, vatra gatimi, mikrovalë, thekëse buke, shtrydhëse frutash, aksesorë muzike të komplikuar të pazbërthyeshëm, expres kafeje dhe materiale të tjera.

Futja/lejimi, si dhe përdorimi pa asnjë kriter nëper dhoma banimi/ambjente të përbashketa pa asnje urdhër apo plan masash i veglave dhe materialeve artizanale, jo vetëm bën të vështirë gjetjen dhe kapjen e sendeve të ndaluara(rasti i kapjes së telefonit te denuarit Ilir Kupa, pasi kishte prerë kasën metalike të derës), por rrezikon seriozisht jetën e personelit/burgosurve dhe cënon rënd sigurinë e burgut…

Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë, ka probleme me teknologjinë, në regjim të brendshem ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa palestra, dhoma takimesh me familjarë/virtuale online, takime me avokatet, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pa monitoruara nga kamerat e sigurisë. Në të dyja sektorët mbulohen vetëm me një kamer, por duke patur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme e bën të pamundur mbulimin vetëm nga një kamer.

Të gjitha dyert e banimit të burgosurve në sektorë hapen me një çelës të vetëm, ndersa drynat e shulave të cilët mbyllen në turnin e tretë, janë cilësi shumë e dobët, gjë e cila cënon rëndë sigurinë e institucionit dhe vetë të burgosurve.

Fenomen aspak i denjë për kohën, poshtërues dhe diskriminues, ku të burgosur përdoren për të pastruar ambiente, sektorë, dhomat e të tjerëve si dhe për të transportuar ushqimet dhe plaçkat e tyre. Kjo kategori nuk është e përfshirë në listën organike të punësimit” shkruan Kamber Hoxha.

Vrasja e paralajmëruar në burg/ Letra që “zhveshi” shtetin: Skaneri dhe kamerat nuk punojnë

AlbaniaWeb.net