Armando Broja, gati “valixhet”, shtohen interesimet për sulmuesin shqiptar të Çelsit
Emri i Armando Brojës do të vazhdojë të përflitet në merkaton e janarit për një largim të mundshëm nga “Stamford Bridge”, pavarësish se, si Çelsi, ashtu edhe lojtari, dëshirojnë që të qëndrojnë bashkë.
Klubi i Uest Hemit vazhdon ta ketë në fokusin e tij sulmuesin 22-vjeçar, me Dejvid Mojesin që mbetet një admirues i vjetër i shqiptarit.
Por pak më vonë në garë u fut edhe një tjetër klub londinez, Fulhami. Skuadra e Marko Silvës kërkon gjithashtu një sulmues për të zëvendësuar Mitroviçin e larguar drejt Arabisë Saudite.
Opsioni që ata po mendonin për ta transferuar Brojën ishte ai i huazimit deri në fund të sezonit, por përpjekjet e tyre u ndërprenë shpejt, duke parë përgjigjen negative të bluve të Londrës.
E fundit në listën e klubeve të interesuara mendohet se është edhe Njukasëlli. Në fakt, “qymyrxhinjtë” kanë shprehur interes për sulmuesin edhe në të shkuarën, por tani trajneri Edi Hau po mendon që të pasurojë opsionet e tij pas Aleksander Isak dhe Kallum Uillson.