Fri, Nov 29, 2024

“Vetmia më vrau”, Alby mes lotësh rrëfen historinë e jetës

  • PublishedDecember 26, 2023

Alby mbrëmjen e djeshme në “BBVK”, ka treguar historinë e jetës së saj nga divorci i prindërve deri tek lindja e vajzës.
Ajo është shprehur që shpesh herë ka qenë vetëm në jetë e madje edhe kur ka lindur vajzën ka treguar që s’ka pasur njeri afër.

Komunikimi i saj me të atit ishte shumë i pakët e madje ajo ishte ftohur shumë nga ai, por tani i mungon prania e tij.

Kur kam qenë 9 muajshe, prindërit e mi janë ndarë. Kam dy motra më të mëdha, prindërit kanë pasur probleme, babai pinte dhe ishte xheloz. Motra e madhe ka vuajtur më shumë sepse i ka parë të gjitha. Kur isha 4 vjeçe mbaj mend që mami dhe babi ziheshin se kush do më mbante mua, kur ishte koha e gjyqit. Unë ndenja me mamin, ndërsa motra e madhe zgjodhi babin dhe ikën në Greqi. Motra tjetër zgjodhi gjyshen, dhe nuk jam rritur me asnjërën nga motrat. Motrën e vogël e takoja vetëm kur shkoja te gjyshja që shkoja të rrija atje, e kam pasur pak të vështirë që babin nuk e kam pasur në jetën time aq sa duhet, por mami më ka mbajtur shumë mirë dhe s’më ka folur kurrë keq për të. E kam dashur shumë, kur isha me babin kërkoja mamin, kur isha me mamin kërkoja babin, edhe pse e dija që nuk rrija dot me të sepse ishte në Greqi. Në moshën 13 vjeçe kanë vendosur të më dërgojnë në Amerikë tek tezja. Ata bënë të pamundurën, morën lekë borxh për të plotësuar shumën e parave për të ikur atje. Mami punonte dy punë për të më ushqyer. Nuk ka qenë e lehtë, e kam vuajtur fëmijërinë sepse i kam pasur prindërit e ndarë.
Në fillim e kisha shumë të vështirë kur ika në Amerikë, kam qenë shumë fëmijë i mbyllur nuk i tregoja ndjenjat. Jeta atje ishte e vështirë, u largova nga mami dhe nga shkolla. U distancova nga të gjithë, sidomos nga babi sepse ishte i vetmi që nuk e kisha afër gjithmonë sepse kisha mamin dhe isha mësuar më shumë me të. Nuk më dukej më çudi që isha distancuar nga babi dhe kur u rrita s’doja të flisja më me të, sepse thoja më ka keqtrajtuar mamin nuk na ka ndenjur afër ne si vajza. Kur na takonte nuk na ndihmonte asnjëherë, e distancova veten dhe i mbylla ndjenjat që kisha për të. Kam 20 vite që nuk e kam takuar as nuk kam folur, para disa viteve ka qenë i sëmurë me zemër dhe ka bërë operacion, unë se kam ndjerë fare që nëse i ndodh diçka, i pata mbyllur ndjenjat dhe nuk më interesonte. Kur linda vajzën kuptova që duhet t’i falim njerëzit, që nuk i kam dhënë shans për të folur. Ndoshta historia e karrierës sime dhe s’kam ditur si ta përballoj. Ai ka kërkuar të flasë me mua por s’kam pranuar. Vajza ime nuk e ka babin e vet në jetë e saj dhe më dhemb zemra se e di që është shumë e vështirë të rritesh pa baba. Por jam shumë e fortë gjithsesi dhe ajo forcë më ka bërë të qëndroj në këmbë dhe gjallë. Nuk e di nëse po e rris mirë vajzën, se edhe kur e kam lindur kam qenë vetëm. Pas tre ditësh kur kam dalë nga spitali kisha valixhet dhe vajzën dhe isha vetëm, aty e kam kuptuar që vetmia të vret. E kam pasur shumë të vështirë ta rris vajzën, sepse nuk e dija as si ta ushqeja apo ta vishja. Ajo sot është 5 vjeçe dhe është shumë e fortë, më e fortë se guri. Më mëson më shumë ajo mua se unë atë, tani kur e bëj diçka e mendoj 100 herë para sepse tani jetoj për vajzën. Atë e kam gjithçka në jetë. As dita dhe nata nuk ndryshojnë aq shumë saç kam ndryshuar unë pasi lindi vajza. E falënderoj shumë vajzën sepse e kuptoj që e kam pas humbur veten. Në ditët më të këqija bëhem më e fortë vetëm duke e parë. Tani që rritet ka nisur të kuptojë sepse shikon fëmijët e tjerë në shkollë që janë me të dy prindërit dhe më pyet shpesh për të atin. I them gjithmonë që kur të rritesh do të t’i shpjegoj të gjitha sepse nuk e di nëse bëj mirë apo jo nëse ja tregoj. I them që më ke mua për gjithçka dhe s’të lej kurrë, sepse me kujtohet mungesa e babait tim, edhe pse s’kam folur dhe s’doja të flisja me të e ndjej mungesën e atij sepse tani e kërkoj edhe më shumë. Nëse fëmija im s’e ka babin në jetë mundet të ketë një gjysh si shembull, jo vetëm ajo, por edhe unë të kem babain tim. Mami ka vuajtur shumë edhe motrat.