Tirana bën plane për të marrë “borxh” dy ish-lojtarët, ja dëshirat bardheblu për janarin
Tiranës i duhen lojtarë në merkaton e janarit për përforcimin e skuadrës. Opsionet janë të shumta, por duket se te Tirana kanë disa pëlqime. Disa lojtarë që janë larguar janë dëshirat e bardhebluve.
Kështu, Tirana duke parë që Marsel Ismajlgeci dhe Redon Xhixha nuk po luajnë shumë kanë dëshirë t’i kthejnë në ekip, të paktën borxh. Në fakt, kjo është një dëshirë e bardhebluve, ndërsa vetë lojtarët nuk kanë shprehur ndonjë dëshirë të hapur. Ismajlgeci luan në Kosovë me Ballkani, por jo shpesh. Ai është borxh nga ekipi boshnjak i Zrinjskit. Mund të ndodhë që ai të jetë pjesë e Tiranës. Redon Xhixha ishte transferimi i madh i janarit 2023 drejt Azerbajxhanit te Karabaku. Lojtari nuk ka luajtur shumë. Dëshira e Tiranës është e madhe, por lojtari zor se do të lërë një skuadër të madhe si Karabaku për t’u kthyer në Shqipëri. Për të do të ishte kthim pas. Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për dëshira të Tiranës.
EMRAT E TJERË – Së fundmi, Tirana kërkon të firmosë me Drilon Hazrollajn, lojtarin e shumëkërkuar në Kosovë dhe që Ballkani po bën të pamundurën për ta marrë. Hazrollaj këtë sezon me FC Malishevën ka shënuar tetë gola dhe është vetëm 19 vjeç. Lojtari këtë sezon ka shpërthyer dhe në 17 ndeshje, veç tetë golave, ka dhënë edhe pesë asiste, duke qenë në fushë 1486 minuta. Lojtari vlerësohet 400 mijë euro. Ai luan qendërsulmues, pas sulmuesit të parë apo në krahun e djathtë. Për t’u parë mbetet nëse Tirana do ta marrë në skuadër apo jo.
Fakt është që lojtarin kosovar që mund të luajë për Shqipërinë e kërkojnë disa ekipe si në Kosovë, Shqipëri dhe skuadra të huaja. Bardheblutë kërkojnë nga Kosova edhe Mustafa Banë nga Trepça, ndërkohë që klubi kosovar kërkon 150 mijë euro. Tirana pritet që pas sfidës me Egnatian të nisë një revolucion në skuadër. Kështu, veç Florent Hasanit pritet të largohen edhe shumë lojtarë të tjerë. Lista është e gjatë, por veç emrave tashmë të ikur apo të përfolur mund të ketë edhe largime të tjera surprizë. Bardheblutë do të kërkojnë nga ata lojtarë, të cilët nuk kanë dhënë maksimumin, të ndajnë rrugët. Veç të tjerave, janë disa lojtarë në dyshim që duan të provojnë fatin diku tjetër. Panorama Sport