Konfiskohen pronat e të dënuarit për trafik narkotikësh
Pas ankimit të SPAK Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar të premten (22 dhjetor) vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë duke gjetur se Ilirian Duçellari, i dënuar me 12 vjet e 8 muaj si pjesë e një organizate trafiku narkotikësh, ishte fajtor edhe për pastrim parash.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKKO, në shkurt 2023 e gjeti Duçellarin dhe 9 persona të tjerë fajtorë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh. Duçellari dhe Robert Myftari, Julian Bejdollari, Aurel Kalari, Rexhino Muçaj, Piro (Kleo) Bregu, Orhan Duçellari, Alban Koshi, Elton Hamza, Mariglen Shusha u gjetën fajtorë pas një hetimi të skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK dhe antimafias dhe Prokurorisë së Barit, Itali. Veç dënimeve me burg të akuzuareve iu bllokuan edhe rreth 10 milion euro pasuri të dyshuara si të vëna përmes trafikur të drogës.
Por ndryshe nga kërkesa e SPAK, GJKKKO e gjeti Duçellarin të pafajshëm për akuzën e pastrimit të parave. Kjo pjesë e vendimit të GJKKKO u apelua nga SPAK dhe në 22 dhjetor Gjykata e Posaçme e Apelit e pranoi ankimin duke arsyetuar se Duçellari ishte fajtorë edhe për pastrim parash. Apeli vendosi të konfiskojë 455 metrave katrorë apartamente e dyqane në pronësi të Ilirian Duçellarit dhe të afërmve të tij në qytetin e Vlorës dhe ndryshoi dënimin e tij duke caktuar në fund 12 vjet e 8 muaj burg.
Në një njoftim për shtyp SPAK bëri me dije se të dënuarit ishin pjesë e “katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuar, të cilët kanë vepruar nga viti 2014 deri ne vitin 2019, në Shqipëri dhe në kontakt e bashkëpunim me organizatat kriminale italiane, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Itali e më pas në vende të tjera europiane”.