90 minuta tubim, Berisha: Tani protesta në mbarë vendin kundër drejtësisë dhe Ramës
90 minuta ka zgjatur protesta dhe marshimi i Sali Berishës përpara Gjykatës së Lartë dhe më pas rikthimi në selinë e PD-së. Në orën 09:00 nisi tubimi. Militantët e PD-së bllokuan rrugën duke shkaktuar trafik për disa minuta. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i kërkoi Flamur Nokës që të hapë rrugën, por deputeti nuk pranoi.
Më pas fjalën e mori Sali Berisha duke i kërkuar Gjykatës së Lartë që t’i rikthejë vulën e PD-së. Fjalimi zgjati disa minuta. Më pas Sali Berisha me demokratët që ishin krah tij u drejtuan për në selinë e PS-së. Qëndruan pak minuta përpara. Nuk kishte fjalime. Më pas ish-kryeministri u rikthye në selinë e PD-së duke e mbyllur me një fjalim.
“Sot çelëm një faqe të re. Nisëm protestën kundër institucioneve të shndërruara në armë të diktaturës. Gjykata e Lartë ka shënuar me qëndrimet e saj një tradhti të madhe kombëtare. Ky është fillimi i betejave tona.
Protesta jonë para selisë së partisë së krimit (PS) shënon fillimin e betejës sonë kundër kësaj partie që me gjithë qëndrimet e saj e udhëhequr nga Rama është përgjegjësi ndaj dramës së madhe të shqiptarëve. Edi Rama kërkon të zhdukë PD-në. Protestat tona do të përhapen në mbarë vendin dhe para institucioneve të krimit, para Kryeministrisë, në cdo skaj të vendit” tha ai.