Mon, Nov 18, 2024

Shkëlzen Berisha dëshmon në gjyqin kundër Fatmir Mediut

  • PublishedDecember 27, 2023

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dha dëshminë e tij të mërkurën më 27 dhjetor në procesin kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, – ky i fundit i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Prokurori i drejtoi Berishës një seri pyetjesh lidhur me dijeninë për shpërthimin e ndodhur në Gërdec; takimet me ish-ministrin e Drejtësisë dhe atij të Mbrojtjes në atë periudhë si dhe për arsyen e bisedave telefonike të kryera me Fatmir Mediun dhe Mihal Delijorgjin, administratorin e një kompanie private që kishte angazhuar banorë të fshatit, mes të cilëve gra e fëmijë për demontimin e predhave.

Berisha deklaroi se ditën e ngjarjes në Gërdec ndodhej jashtë shtetit me familjen e tij dhe nuk i kujtohet saktësisht se si kishte marrë dijeni. Ai pohoi se e njeh ish-ministrin e Drejtësisë, që prej vitit 2004 për shkak të angazhimit politik dhe se kishin marrëdhënie miqësore. Po ashtu, pranoi se kishte takuar Bumçin në zyrën e këtij të fundit, por këmbënguli se bisedat mes tyre kishin qenë familjare dhe personale.

I pyetur nga prokurori Braho nëse kishte diskutuar ndonjëherë për ndonjë vendim qeverie me Bumçin, Berisha e mohoi një gjë të tillë. Për një shkresë të dërguar me fakt nga Ministria e Drejtësisë, tek ajo e Mbrojtjes, me shënimin për “z.Shkëlzen Berisha”, djali i ish-kryeministrit Berisha tha se një gjë të tillë e kishte mësuar në media, duke e cilësuar si shpifje. Ai sugjeroi që të verifikohet se i kujt është shkrimi në shënimin e bërë në emrin e tij.

Ngjashëm ai u shpreh dhe për njohjen me Mediun, përpara se ky i fundit të bëhej ministër. Dëshmitari Shkëlzen Berisha pranoi se kishte pasur bisedë telefonike me Mediun ditën e shpërthimit në Gërdec. Sipas tij, arsyeja e bisedës kishte të bënte me një çështje shëndetësore për një familjar të Mediut. Berisha theksoi se nuk mbante mend që të kishin diskutuar për Gërdecin.

Shkëlzen Berisha pranoi edhe njohjen me Mihal Delijorigjin, duke shpjeguar se një klient kishte dashur të blinte diçka në kompleksin e tij. Ai pohoi se kishte pasur dijeni të përgjithshme lidhur me aktivitetin që Delijorgji ushtronte në Gërdec, por pa ditur detaje. Për telefonatën e kryer me Delijorgjin ditën e ngjarjes, Berisha deklaroi se e kishte kryer për ta pyetur për një familjarin e tezes që punonte atje dhe nuk përgjigjej. Por, ai mohoi që biseda të kishte pasur lidhje me shpërthimin.

Në funksion të pyetjeve të drejtuara nga mbrotjësi i viktimave, avokati , dëshmitari Berisha pohoi se kiste marrë dijeni nga media lidhur me deklarimet e të ndjerit Kosta Trebicka për një telefonatë të regjistruar me Efraim Diverolin, si dhe për të dhënat e në databazën e Wikileaks ku thuhet se ish-shefi Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, ka përmendur emrin e tij.

Berisha pohoi se vetë Hoxha e ka përgënjeshtruar publikisht një gjë të tillë.

Bazuar në deklarimet e ish-ministrit Aldo Bumçi, se me Shkëlzen Berishën kishin pasur diskutime politike gjatë takimeve në zyrë, prokurori Braho e pyeti dëshmitarin nëse kishte ndonjë funksion politik.

Berisha sqaroi se nuk kishte ndonjë funksion politik, por ishte mbështetës. Në vijim pyeti edhe përfaqësuesi ligjor i Mediut, avokati , nëse kishte interesa politikë, nisur dhe nga fakti se kishte pasur të atin kryeministër.

Pas kësaj pyetje, Berisha pohoi se kishte pasur interes politik dhe se diskutimet kishin qenë gjithmonë në këtë kontekst.

Pas përfundimit të dëshmisë së Shkëlzen Berishës, i pandehuri Mediu parashtroi një deklaratë, përmes së cilës pohoi se kishte një familjar me probleme shëndetësore që nuk mund të kurohej në Shqipëri dhe se ky kishte qenë dhe objekti i bisedës ditën e shpërthimit.

Dy dëshmitarët dhe , të dënuar për “shpërdorim detyre” në procesin e zhvilluar për tragjedinë e Gërdecit, ushtruan të drejtën për të heshtur. Ata sugjeruan që të merren dëshmitë e tyre të dhëna gjatë procesit të mëparshëm.

Megjithëse avokatët kërkuan që të merren deklarimet e këtyre dy personave gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja e rrëzoi këtë kërkesë duke argumentuar se në rast të ushtrimit të të drejtës së heshtjes nga të bashkëpandehurit, atëherë administrohen për t’u lexuar deklarimet e dhëna gjatë hetimit të kryer nga prokuroria. Në seancë u tha se Mingo dhe Marku ishin  pyetur fillimisht si persona që kishin dijeni mbi ngjarjen.

Tre dëshmitarë nuk u paraqitën të mërkurën dhe e u vendos ripërsëritja e njoftimit të tyre. Po ashtu, u njoftuan dhe pesë dëshmitarë të tjerë të kërkuar nga prokuroria, për t’u pyetur në seancën e radhës që u caktua të zhvillohet më datë 10 janar, në orën 09:00.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.