KPK shkarkon prokurorin Dorian Tafilaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten vendimin e shkarkimit të prokurorit të Fierit Dorian Tafilaj.
Tafilaj u përball më 27 dhjetor me barrë prove për pamundësitë financiare të konstatuara në vite. Tafilaj kundërshtoi gjetjet duke këmbëngulur se kishte vërtetuar se i mbulon pasuritë dhe shpenzimet me burime të ligjshme. Tafilaj u paraqit në seancë me djalin e tij, Eldi Tafilaj.
Procesi i vetingut për prokurorin Tafilaj u kryhe nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Dorian Tafilaj ka punuar fillimisht si oficer i policisë gjyqësore dhe e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si prokuror në vitin 2000 në prokurorinë e Vlorës. Ai punoi edhe në Prokurorinë e Korçës, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Fierit në vitin 2016.