Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Alfred Belerit për ndryshim mase arresti
Një trupë gjykuese e Gjykatës së Posaçme vendosi të enjten të rrëzojë një kërkesë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Alfred Beleri për ndryshimin e masës së sigurisë.
Trupa e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, njoftoi se kërkesa e Belerit, i akuzuar për blerje votash nuk ishte në përputhje me ligjin.
Beleri mbahet në masë arresti sigurie me burg që prej ndalimit të tij në 12 maj 2023 një ditë para zgjedhjeve lokale, në të cilat ai u votua si kryebashkiak i Himarës.
Sipas prokurorisë Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokoveshi janë filmuar dhe përgjuar duke i ofruar një bashkëpunëtori të drejtësisë para në këmbim të votave. Një burim në dijeni të hetimeve i tha më parë BIRN se Beleri ishte dakordsuar me bashkëpunëtorin për pagesën dhe paratë ai i ka marrë nga Kokoveshi.
Beleri, i cili ishte kandidat i opozitës në zgjedhje i ka mohuar akuzat, ndërsa mbrojtja e tij pretendon se arrestimi është politik.