Roma përmbys Cremonese, në çerekfinale “peshkon” Lazio-n. Gjimshiti likuidon Bajramin (VIDEO)
Roma thyen me përmbysje 2-1 Cremonese-n, “fluturon” në çerekfinalet e Kupës së Italisë, aty ku gjen Lazio-n në derbin roman. Kjo ishte një sfidë jo pak e komplikuar për të besuarit e Jose Mourinho-s, me portugezin që kishte kursyer disa nga titullarët e tij të rëndësishëm. Në minutën e 37-të, Cremonese i befasoi duke kaluar në avantazh. Me fillimin e pjesës së dytë, Mourinho bëri tre zëvendësime të menjëhershme, mes tyre hodhi në fushë edhe Dybala-n.
Në minutën e 77-të me një aksion fantastik, të finalizuar nga Lukaku, Roma barazoi shifrat në 1-1. Në 85-tën, verdhekuqtë fituan një 11-metërsh, ku Dybala u tregua perfekt duke mbyllur llogaritë me Cremonesen. Në përfundim të sfidë, Jose Mourinho theksoi se mungesa e Smalling, Kumbulla dhe Ndicka i vendos në vështirësi, ndërsa në lidhje me të ardhmen e tij shtoi se ka besim te presidenti i Romës.
Kalon më tej në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë, Atalanta. Ekipi bergamask kaloi me lehtësi Sassuolo-n duke triumfuar me lojë dhe rezultat. Njeri i ndeshjes ishte De Katelaere, autor i një “dopiete” dhe një asisti. Në minutën e 24-të, mesfushori belg zhbllokoi ndeshjen ndërsa në të 63-të dyfishoi shifrat. Sassuolo ishte e pafuqishme për t’u rikthyer në lojë, me Atalanta-n që realizoi edhe golin e tretë me Miranchuk i shërbyer nga De Katelaere. Sassuoloi ngushtoi shifrat në 3-1, por goli erdhi vonë në minutën e 95-të.
Berat Gjimshiti dhe Nedim Bajrami, dy legjionarët kuqezi, zbritën në fushë si titullarë. Si gjithnjë, kapiteni shqiptar ishte konstant në paraqitjen e tij, i vlerësuar me notën 6, ndërsa Nedim Bajrami u zëvendësua në minutën e 75-të, pa mundur të lë gjurmë.
()