Apeli lë në fuqi masat e sigurisë ndaj të arrestuarve për trafik narkotikësh
Gjykata e Posaçme e Apeli kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi të enjten të lërë në fuqi masën e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve si të përfshirë në grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Erzen Breçani, ish-shefit të komisariatit numër 6 në Tiranë Dedan Gjoni dhe të bashkë akuzuarve Besmir Murati e Bujar Ajetin apo Gërmizi.
Katër të arrestuarit dhe 7një numër personash të shpallur në kërkim, përfshi djalin e Breçanit, Eralbi Breçani dhe biznesmenin Ervin Mata, akuzohen nga SPAK për trafik narkotikësh, grup kriminal dhe pastrim parash.
Ata u arrestuan në nëntor të vitit që shkoi pas të dhënave të marra prej aplikacionit SKY ECC, në të cilin sipas prokurorisë gjenden biseda komprometuese ndaj tyre. Grupi dyshohet se është përfshirë në trafik kokaine nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri. Të akuzuarit i kanë kundërshtuar akuzat në gjykatë.