I paraburgosuri humb jetën si pasojë e arrestit kardiak
Drejtoria e burgut të Fierit njoftoi të enjten se i paraburgosuri Simon Toska, 51 vjeç, vdiq në orët e para të mëngjesit si pasojë e një arresti të dyshuar kardiak. Toska ishte arrestuar në gusht të vitit 2021 si pjesë e një grupi të akuzuar për shitje të kanabisit, por nuk ishte gjykuar ende nga drejtësia.
Drejtori i burgut të Fierit, Ervin Bushi i tha BIRN se Toska nuk kishte shfaqur më herët simptoma të sëmundjeve të zemrës.
“Nuk ka pasur asnjë shqetësim shëndetësor më parë. Shoku i dhomës e pa që nuk ndjehej mirë dhe njoftoi administratën e IEVP-së,” tha Bushi.
Sipas njoftimit zyrtar, Toska ishte ankuar për lodhje dhe dobësi mesditën e së mërkurës, por pas një perfuzioni referoi se ndjehej mirë dhe në gjendje të stabilizuar. Por rreth orës 3:25 të mëngjesit, personeli i burgut është njoftuar se ai kishte vështirësi në frymëmarrje.
Simon Toska u nis drejt spitalit rajonal të Fierit, por nuk mbërriti i gjallë atje. Sipas drejtuesve të burgut, ai kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, ndërsa do të jetë autopsia ajo që do të dokumentojë shkakun e vdekjes.
Simon Toska u arrestua bashkë me katër persona të tjerë në kuadër të operacionit “Ofiçina” në gusht të vitit 2021, por 19 muaj më vonë kishte ende statusin e të paraburgosurit.
Avokati Kujtim Cakrani tha se viktimës i kishin kaluar afatet e paraburgimit dhe gjykimit për këtë vepër penale.
“Atij i duhej dhënë dënimi muaj më pare, duke i ndryshuar statusin nga i paraburgosur në i dënuar. Ka shumë rëndësi kjo për një të pandehur, është gjendje stresuese për të,” tha Cakrani.